Gjykata e Apelit të Kosovës-Departamenti Special, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të Nagip Krasniqit, ndërsa aktvendimin e datës 05.12.2024, e ka vërtetuar.
Mbrojtësi i Krasniqit kishte kërkuar hedhje të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin PS.nr.67/24, të datës 05.12.2024, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesën për hedhjen të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurit N.K., kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.40/2023, të datës 19.08.2024, në të cilën i pandehuri i lartcekur akuzohet për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi, nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të KPRK”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.
Tutje, Gjykata e Apelit, ka vlerësuar aktvendimin e ankimuar sipas pretendimeve ankimore, por edhe sipas detyrës zyrtare në drejtim të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës dhe ka konstatuar se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit.
“Gjithashtu, kolegji gjykues ka vlerësuar se nuk ka asnjë provë që mund të konsiderohet e papranueshme ose që është mbledhur në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPP, si dhe nuk janë identifikuar asnjëra prej bazave ligjore që mund të justifikonin përjashtimin e provave, ashtu siç kërkohet me nenin 243, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, 1.2 dhe 1.3 të KPP”, thuhet ndër të tjera në njoftim.