Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar arbitrar dhe të pashpjegueshëm refuzimin e ankesës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për përsëritje të votimit me postë, duke thënë se ankesa është bërë brenda afatit kohor.
Këtë reagim ata e kanë bërë përmesnjë shkrimi në Facebook.
Vetëvendosje ka thënë se PZAP-ja po i ndërron afatet për ankesë me qëllim që t’i ikën vendimit për rivotim me postë, derisa shtoi se ky institucion ka rënë ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kjo parti ka shtuar se s’duhet të anashkalohen shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së.
“Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP. Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor. Justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet”, ka shkruar partia që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Për çështjen e afatit për ankesë, VV-ja ka thënë se afati i fundit ka qenë data 7 mars, ora 21:00, e shtoi se ankesë ne kanë dorëzuar me prova në orën 20:20. /Gazeta Enigma