Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova ndodhet në një moment kritik për të përcaktuar qeverinë e ardhshme.
Rezultatet paraprake tregojnë se asnjë parti nuk ka arritur të sigurojë një shumicë absolute, duke e çuar vendin drejt negociatave të ndërlikuara për formimin e koalicionit qeverisës.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, ka dalë si fituese me rreth 40.9 % të votave, por pa mundësinë për të qeverisur e vetme.
Ndërkohë pas LVV-së, radhitet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.04%, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka marrë 17.64%. Ndërkohë koalicioni AAK-Nisma ka arritur të marr 7.46%.
Partitë e tjera më të vogla ndajnë rreth 18.32% të votave të mbetura.
Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 vende, ku 20 janë të rezervuara për përfaqësuesit e pakicave kombëtare, duke lënë 100 vende për partitë e përgjithshme. Për të formuar qeverinë, nevojiten të paktën 61 vende.
I rezervuar karshi koalicioneve të mundshme pas zgjedhore është treguar kryeministri aktual, Albin Kurti i cili është edhe mandatati i parë për ta formuar Qeverinë. Ai është i bindur që Qeveria e ardhshme do udhëheqet nga vet ai. “Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet, pastaj Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe unë”, tha Kurti me 10 mars.
PDK e LDK “vija të kuqe” VV-së, por LDK-ja synon pozitën kryeministrinë
Kandidati për kryeministër nga radhët e partisë së dytë më të madhe pas zgjedhjeve, Bedri Hamza, ka thënë se me LVV-në nuk do të bëjnë koalicion, ndërsa janë të hapur që tani të nisin bisedimet me partitë opozitare për formimin e qeverisë.
“Ftesën që sonte jam i gatshëm me u ulë me partitë që kemi qenë në Opozitë që të bisedojmë për marrëveshje politike jo për procedura ligjore e kushtetuese se janë të qartë me përjashtim të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sigurisht në kanal zyrtare do t’iu bëj ftesë me u ul dhe me bisedu që vendit me i dhënë institucione”, tha Hamza më 10 mars.
E ndërkohë ulësen e kryeministrit po e synon kandidati për këtë pozitë, Lumir Abdixhiku, ani pse partia e tij u radhit e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Por edhe ai e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në.
“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta. Ky ishte qëndrimi ynë para zgjedhjeve dhe mbetet i njëjtë,” theksoi Abdixhiku, pas takimit disa orësh me strukturat e partisë.
Abdixhiku bëri të ditur të hënën se LDK-ja mund të shqyrtojë një koalicion me partitë e tjera opozitare, por vetëm nëse i ofrohet posti i kryeministrit dhe arrihet një marrëveshje për pozitën e presidentit, e cila deri në vitin e ardhshëm i takon Vjosa Osmanit.
Një votë më shumë për Kurtin?
Për partinë në pushtet, lajm i mirë mund të konsiderohet edhe sigurimi i një ulëse nga 10 vendet e rezervuara për shumicën serbe, nga Partia e Nenad Rashiqit, i cili ka shërbyer si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe mund t’ia jap votën për konstituimin e Kuvendit.
Pak kohë pas publikimit të rezultateve preliminare, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, i cili garoi në zgjedhje në koalicion me AAK-në, kjo e fundit e cila nuk pranon në asnjë mënyrë të bashkohet me VV-në për qeverisje, ka dhënë dritën jeshile për një bashkëpunim më kryeministrin Kurti, për një koalicion paszgjedhor.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka konfirmuar se do të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës në krye me Albin Kurtin, kryeministër.
Kështu bëri të ditur Krasniqi në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.
“Po në bashkëpunim me kryeministrin Albin Kurti do të jemi pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe tashmë është shumë mirë i definuar ky partneritet i joni që fillon nga viti 2019 kur kam qenë pjesë e grupit parlamentar të VV’së, kështu që gjithçka është parimore dhe është e bazuar në këtë mirëbesimin e krijuar në këto katër vite si ministër, kështu që s’ka asnjë dyshim që do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe do të jem vetëm pjesë e një koalicioni ku kryeministër është Kurti”, tha Krasniqi.
Sa i përket komuniteteve tjera, Krasniqi tha se nuk mund të flas në emër të tyre se me kë do të bëjnë koalicion.
“Por nga diskutimet që kam edhe me kolegë tjerë që janë në qeveri, partnerë kësaj qeverie, vullneti i gjithë tyre është që të jenë pjesë e Qeverisë Kurti 3 e cila do të jetë në ardhje shumë shpejt”, tha Krasniqi.
Skenarët e mundshëm të Qeverisë së re
Analisti i çështjeve politike, Amir Shabani, tha se VV do e ketë të pamundur krijimin e Qeverisë me numrat që ka aktualisht, dhe se mënyra më e mirë do ishte afrimi me shumicën jo-serbe.
“Duke qenë se LVV ka siguruar vetëm 48 ulese nga 61, shihet se eshte e veshtirë formimi i qeverisë si parti politike e vetme pa inkuadrimin e tjerave, ku une besoj se skenari më i mundshëm është koalicionimi me minoritetet joserbe”, tha ai.
Shabani vlerësoi edhe rolin e pakicave për krijimin e një qeverie stabile.
“Partitë e pakicave kanë rolin e tyre për aq sa kanë fuqinë e tyre politike në vend në raport me atë pakicë të popullatës. Ato mund të jenë përfituese të pushtetit për shkak arritjes së numrave dhe nga ana tjetër mund të kërkojnë disa dikastere ku mendojnë se i manifestojnë të drejtat e tyre në aspektin jurudik dhe administrativ”, tha Shabani.
Shabani e sheh si më reale krijimin e një qeverie stabile me NISMA-n pas vetëafrimit të Limajt, dhe votën e Nenad Rashiqit.
“Po, kjo duket se shkon drejt realizimit. Ndonëse NISMA kundërshtonte qeverisjen e LVV-së, ishte ajo e para që shprehi gatishmërinë për të formuar një koalicion qeveritar. Dhe me shumë gjasa formimi i Qeverisë së re të Republikës së Kosovës do jetë LVV+NISMA+9 deputetë të minoriteteve joserbe+Rashiqi=61”, tha ai.
Shabani tha se afrimi mes PDK-së dhe LDK-së për një koalicion qeverisës është i zbehët.
“Ndonëse të dyja këto parti kanë ngjajshmëri dhe kanë qeverisur ndaras e bashkë në koalicion për vite të tëra, kësaj radhe duket se bashkimi mes PDK-së dhe LDK-së është i zbehur, madje kryetari I LDK-së, Lumir Abdixhiku e konsideroi fitore për partinë e tij edhe këtë gjendje që e kanë tani”, përfundoi ai.
Kujtojmë se nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar ditë më parë se po synojnë të formojë qeverinë me mbështetjen e përfaqësuesve të pakicave jo-serbe.
“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat jo-serbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke mos lejuar që Lista Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë pushtet vendimtar si në qeveritë e kaluara”, deklaroi Konjufca. / Gazeta Enigma.