Partitë opozitare nga legjislatura e kaluar, PDK, LDK dhe AAK janë duke komunikuar për mundësinë e formimit të qeverisë nga ta, transmeton Gazeta Enigma.
Kështu të paktën ka thënë Ahmet Isufi nga AAK ka thënë se ka takime përmes njerëzve që janë në strukturat udhëheqëse të partive.
Ai ka thënë se këto takime nuk janë zyrtare ku diskutohet për ndarjen e përgjegjësive.
“Nuk ka pas takime të drejtpërdrejta, zyrtare që të ndahen përgjegjësitë qeverisëse, po që komunikim normalisht që ka, përmes njerëzve që janë në struktura udhëheqëse komunikojmë. Por nuk ka takim zyrtar për të ndarë përgjegjësitë, pasi ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve”, ka thënë Isufi për Tv1.
Ai ka thënë se AAK nuk do të jetë pengesë për formimin e qeverisë nga opozita dhe se nuk këmbëngulin me çdo kusht për postin e kryeministrit.
“Ne e kemi theksuar se nuk jemi shumë të interesuar që me çdo kusht ta kemi kryeministrin, sepse ne duam një qeveri funksionale. Edhe z.Haradinaj e ka shpreh se nuk dëshiron të marrë përgjegjësi kryesor, vetëm nëse pajtohen partnerët politik, normalisht përgjegjësisë nuk i ka ikur dhe nuk i ikë, por nuk do të bëhemi pengesë e një koalicioni të opozitës që do të mund ta udhëhiqte vendin”, ka thënë Isufi.