Në rrjetet sociale janë shfaqur disa fotografi të personave që ishin të pranishëm në ngjarjen tragjike në diskotekën “Puls” në Koçan ku humbën jetën 51 persona dhe u lënduan dhjetëra të tjerë nga zjarri që përfshiu klubin e natës.
Në “Instagram” dhe “Facebook” po shpërndahen fotografi të të rinjve duke kërkuar informacione për më të afërmit e tyre, ka raportuar mediumi maqedonas, Kanal 5.
Fotografitë e tyre, së bashku me emrat dhe numrat e telefonit janë shpërndarë, me kërkesën që, nëse dikush e di në cilën spital ndodhen ose ka ndonjë informacion tjetër, të njoftojë në numrat e dhënë.
Një zjarr në një klub nate në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 51 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve, ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski.
Ai gjithashtu citohet të ketë deklaruar se “ka shumë të tjerë të lënduar”, raporton Kanal 5.
Sipas mediave lokale, zjarri dyshohet se shpërtheu rreth orës 3 të mëngjesit, për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë një koncerti ku ishin të pranishëm rreth 1.500 persona, pas së cilës ndodhi një kaos për të dalë jashtë.