Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka deklaruar se deri më tani kanë arritur të kontrollojnë këtë helmim dhe se sot ka qenë një kujdes më i shtuar sepse edhe institucionet e nivelit qendror i kanë dalë në ndihmë.
“Sa i përket gjërave elementare dhe të nevojshme deri më tani i kemi. Nuk mund të flasim për diçka që është ekspertizë derisa të kryhen të gjitha analizat e nevojshme. Deri më tani kjo situatë është një lloj hipoteze e ngritur, nga qytetarët dhe nga institucionet që deri diku kanë bërë analiza. Kjo situatë është mirë të tejkalohet dhe besoj se stafi mjekësor edhe buxheti i komunës dhe zjarrfikësit e të gjithë akterët të nivelit lokal e qendror do të jenë aktiv për të tejkaluar gjithë këtë situatë”, tha Ramosaj.
Tutje i pari i Deçanit theksoi se të dielën kanë marrë vendim që të ndalohet uji për 24 orë, por që dje është lëshuar në mënyrë që të përdoret për nevoja të tjera, por jo për pije.
“Ne të dielën kemi marrë vendim që të ndalohet uji për 24 orë, uji është ndaluar edhe dje ndërsa ditën e sotme kemi dhënë lejen që ky ujë të përdoret për sanitari e gjëra të ngjashme, por që ndërkohë po mundohemi që qytetarët ti furnizojmë me ujë e më vjen mirë që të gjitha komunat, institucionet, ushtria e ata të emergjencave kanë shprehur gatishmërinë për tu dalë në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë për ujë të pijes”, shtoi ai.