REL-i e padit mbikëqyrësin USAGM për ndaljen e grantit federal

REL-i e padit mbikëqyrësin USAGM për ndaljen e grantit federal

Radio Evropa e Lirë (REL) tha më 18 mars se e ka paditur Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), si dhe zyrtarët e USAGM-it, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për ta ndërprerë financimin federal të REL-it.

Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.

“Tani nuk është koha për t’u dorëzuar përballë propagandës dhe censurës së kundërshtarëve të Amerikës”, tha presidenti dhe shefi ekzekutiv i REL-it, Stephen Capus.

Morales është shef ekzekutiv i përkohshëm i USAGM-it, ndërsa Lake është këshilltare e lartë e tij.

Ndërkohë, politikanët e Bashkimit Evropian thanë se po vazhdojnë përpjekjet për një mbështetje të mundshme për Radion Evropa e Lirë (REL), pasi Qeveria amerikane ndërpreu fondet për median që ka selinë qendrore në Pragë, mes shqetësimeve se mbyllja e këtij transmetuesi mund të jetë një goditje për mediat prodemokracisë.

Ministri çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, u tha gazetarëve në Bruksel më 18 mars se disa shtete kanë mbështetur nismën deri më tani, por blloku duhet të veprojë shpejt “sepse do të ishte një gabim i madh nëse lihet që ky institucion të vdesë”.

“Ne duhet të nxisim një lloj interesi dhe të takohemi me komisionarët dhe disa shtete. Në këtë pikë, kjo nismë është mbështetur nga shtatë shtete të tjera, dhe pasi ne ta bëjmë publike në Këshillin për Çështje të Përgjithshme, edhe më shumë shtete do të na bashkohen”, tha Dvorak, duke shtuar se çështja duhet të zgjidhet “brenda disa javësh”.

Mbështetje për REL-in ka shprehur edhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka biseduar me Dvorakun për këtë çështje.

“Do të bëj gjithçka që kam në duar për të mbështetur vazhdimin e punës së REL-it”, shkroi ajo në platformën sociale X, më 18 mars.

Ambasada gjermane në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo media është “fener i raportimit të lirë dhe të paanshëm” për më shumë se shtatë dekada në mbarë Evropën dhe më tej.

“Siç ka theksuar përfaqësuesja e Lartë [e BE-së, Kaja] Kallas, BE-ja aktualisht është duke eksploruar mundësitë për të mbështetur punën e rëndësishme të REL-it. Kjo, po ashtu, flet për kontributin e REL-it për demokracinë dhe promovimin e informacionit të besueshëm në mbarë botën”, tha Ambasada gjermane në Prishtinë.

Me nismën e Republikës Çeke për mundësinë e mbështetjes së REL-it, në takimin e ministrave të Jashtëm të 27 shteteve të bllokut, të mbajtur më 17 mars, u adresua kjo çështje, teksa e ardhmja e REL-it mbetet e pasigurt pas ndërprerjes së financimit nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë fundjavës.

Related Articles