Qeveria emëron drejtor të Akreditimit të dyshuarin për rastin e rezervave shtetërore, Irfan Lipovicën

Qeveria emëron drejtor të Akreditimit të dyshuarin për rastin e rezervave shtetërore, Irfan Lipovicën

Qeveria e Kosovës ka emëruar Irfan Lipovicën, si drejtor të përgjithshëm në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës në Ministrinë e Industrisë, Ndërrmarësisë dhe Tregtisë, raporton Gazeta Enigma.

Duke e propozuar Lipovicën për pozitën në fjalë ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se ky institucion ka rëndësi të lartë për ekonominë.

“Akreditimi si proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve, pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe të proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare e vendore duke garantuar kështu që të ofrojë nivel të lartë të cilësisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, procesi i përzgjedhjes në pozitën e nivelit të lartë drejtues është zhvilluar në mbështetje të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe në rregulloren e Qeverisë.

Kujtojmë se Lipovica ishte arrestuar si zyrtar i MINT-it në mes të gushtit të 2023-s pas aksionit të Prokurorisë Speciale në këtë ministri. Pos tij ishte arrestuar edhe Hafiz Gara dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.

Ata ishin liruar nga paraburgimi në fund të gushtit. / Gazeta Enigma.

Related Articles