“Abe tezja” midis Kurtit dhe Prokurorisë – kush do shkojë te kush?

“Abe tezja” midis Kurtit dhe Prokurorisë – kush do shkojë te kush?

Janë bërë tri javë që nga urdhri i Gjykatës Themelore në Prishtinë drejtuar kryeministrit Albin Kurti që të paraqitet në hapësirat e Prokurorisë Speciale, për të dhënë dëshmi, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, shkruan Gazeta Enigma.

Kurti supozohej t’i përgjigjej urdhrit më 4 mars, por një gjë të tillë nuk e bëri. Në vend të kësaj, ai shkoi në Gjilan, për hedhje të një gurthemeli për një çerdhe.

Prokuroria Speciale edhe dy herë më parë i kishte kërkuar Kurtit që të paraqitej në Prokurori, por që “kokëfortësia” e tij hyri në funksion, duke kërkuar që intervistimi të bëhet në hapësirat e Qeverisë, ndonëse vazhdimisht e kishte theksuar “gadishmërinë” e tij për të dëshmuar.

“Me respekt kërkojmë nga Gjykata që ta detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar brenda zyrës së kryeministrit”, thuhej në reagimin e kryeministrisë për këtë cështje.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Prokurorisë Speciale, në lidhje me hapat e radhës, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Edhe sa mund të vazhdohet me deklarata nga larg?

Avokati Ardian Bajraktari thotë se sa i përket çështjes së afateve, për këto veprime nuk ka ndonjë afat strikt, mirëpo thotë se kjo është një procedurë hetimore, e cila si rregull duhet të përfundohet brenda dy viteve nga momenti i nxjerrjes së aktvendimit për fillimin e hetimeve, me mundësi që ky afat të vazhdohet edhe për një vit shtesë nga gjykata, në rastet e ndërlikuara.

“Pra veprimet hetimore si rregull duhet të kryhen pa vonesë. Aktualisht procesi me sa është thënë publikisht, ndodhet në stadin kur Prokuroria Speciale e ka njoftuar gjyqtarin e procedurës paraprake për mos paraqitjen e dëshmitarit, përkatësisht mos zbatimin e urdhrit të gjykatës”, tha Bajraktari për Gazetën Enigma.

“Mbetet të shihet nëse mos paraqitja e dëshmitarit sipas urdhrit të gjykatës ishte apo jo e arsyetuar, në mënyrë që të procedohet pastaj me shqiptimin e gjobës sikurse parashihet me nenin 132 të Kodit të Procedurës Penale, gjobë e cila mund t’i shqiptohet deri në 250 euro për çdo mos paraqitje dhe mos arsyetim të sajë”.

Çka thotë ligji?

Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.

Nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.

“Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Kurti mund të dërgohet në Prokurori – por jo në paraburgim

Megjithatë, njohësi i ligjeve, Anton Nrecaj, thotë se për Kurtin nuk do të ketë paraburgim prej 30 ditësh – ashtu siç e parasheh ligji – për shkak të pozitës që mban.

“Ai nuk mundet me u arrestu. Nuk është qytetar i rëndomtë, është udhëheqës i shtetit, dhe natyrisht se Prokuroria dhe Gjykata duhet ta gjejnë mënyrën që të respektohet pozita të cilën ai e ka. Policia mund ta marrë dhe ta dërgojë në Prokurori për intervistim, por jo ta arrestojë. 30 ditët paraburgim janë për qytetarët e rëndomtë. Në këtë rast, janë praktikat gjyqësore, ku nuk guxon të funksionohet ashtu, pasi duhet të ruhet institucioni”, theksoi ai për Enigmën.

“Nuk guxon të degradohet institucioni. Nuk duhet të luhet me këto gjëra, sepse tregojmë se jemi një shtet joserioz, si nga sistemi i drejtësisë, ashtu edhe i politikës”.

“Prokuroria do duhej të shkonte në Qeveri”

Nrecaj thotë se Prokuroria Speciale e ka bërë një praktikë të atillë me pushtetet e kaluar, ku shkonte në ambientet e Qeverisë për intervistim të politikanëve. Ai nuk sheh ndonjë aryse që një gjë e tillë të mos bëhet edhe me Kurtin.

“Prokuroria e ka krijuar një praktikë të tillë. Ne e kemi pasur një praktikë të tillë, ku prokuroria ka shkuar në zyre, edhe pse nuk është e duhur kjo, por meqenëse e ka krijuar një praktikë të tillë, është dashur që edhe në këtë situatë ta bëjë të njëjtën praktikë, pasi veç se është krijuar kjo praktikë”, u shpreh njohësi i ligjit.

Sa ishte kryeministër Ramush Haradinaj, u raportua se ai u intervistua në zyrën e tij në Qeveri – nga Prokuroria – në rastin e 53-milionëshit.

Si filloi e gjitha?

Në dhjetorin e vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.

Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.

Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht.

Rasti i rezervave shtetërore

Në vitin 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin. /GAZETA ENIGMA

Related Articles