Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka njoftuar të ngarkuarën me punë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, për tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës.
Siç ka njoftuar Presidenca, në një takim të mbajtur të hënën, Osmani e Prattipati diskutuan për arrestimin e qytetarëve serbë në Gjakovë e në Prizren, që pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh.
“Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, Presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Presidentja Osmani diskutoi me znj. Prattipati për arrestimin e djeshëm të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh. Porse, hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, thuhet në njoftim.
E para e vendit e ka cilësuar këtë veprim si “pjesë të një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës”.
Osmani ka thënë se kjo përbën ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Presidentja ka shtuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie.
Osmani dhe Prattipati kanë diskutuar edhe për thellim të aleancës strategjike me SHBA-në. /Gazeta Enigma