Gjykata refuzon propozimin për gjykimin në mungesë ndaj 42 të akuzuarve në rastin “Banjska”

Gjykata refuzon propozimin për gjykimin në mungesë ndaj 42 të akuzuarve në rastin “Banjska”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë.

Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se Themelorja mori vendim të mos vazhdohet me gjykim në mungesë për grupin tjetër të të akuzuarve, por ndaj këtij vendimi, Prokuroria Speciale ka të drejtën e ankesës.

“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në drejtim të Gjykatë Themelore në Prishtinë, mirëpo ende nuk kemi pranuar përgjigje. Po ashtu, për të kuptuar nëse PSRK-ja e ka pranuar këtë vendim dhe në rast se ka ushtruar ankesë ndaj tij, pyetje janë dërguar edhe në Prokurori, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate bëri të ditur se për 42 të pandehurit është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar, pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre

Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

“Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Gjykata Supreme përmes përgjigjes me shkrim e ka njoftuar paraqitësin e kërkesës, se “asnjëherë nuk jep mendime juridike për dilemat që i ka gjykata e shkallës së parë në interpretimin e ndonjë dispozite gjatë procedimit të çështjeve të hapura penale, e të cilat me vonë do të mund te ngritën edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës”. Prandaj, Gjykata Supreme, konsideron se është në diskrecionin e gjyqtarëve që të vendosin ashtu siç e vlerësojnë”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës Supreme dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

Related Articles