Policia e Kosovës ka konfirmuar aksionin e sotëm të antidrogës në rajonin e Prishtinës, ku ka bërë të ditur se fillimisht janë arrestuar tre persona dhe janë sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas Policisë gjatë këtij aksioni janë konfiskuar edhe një armë zjarri, dy automjete, tre telefona të mençur dhe 4 mijë euro para të gatshme.
“Gjatë realizimit të planit taktik në Prishtinë: U arrestuan tre persona të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. U sekuestruan 2 kg e 643.27 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë (vlera në treg rreth 200,000 euro). U konfiskuan: Një armë me 35 fishekë, dy automjete, tre telefona të mençur, 4000 euro në para të gatshme, prova të tjera materiale që lidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia gjithashtu ka njoftuar se gjatë operacionit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë tentuar të largohen me veturën e tyre.
Gjatë kontrollit u është gjetur një armë dhe është konstatuar se automjeti i tyre ishte me dokumentacion të falsifikuar.
“Personat në fjalë nuk kanë ndërlidhje me rastin kryesor, andaj janë proceduar nga patrulla policore e Stacionit Jugu – Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Policia njoftoi se në vijimësi të hetimeve dhe zhvillimit operacional është kontrolluar edhe banesa e njërit nga të dyshuarit në Fushë Kosovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë dhe një armë zjarri.
“Janë gjetur dhe sekuestruar: 2 kg e 300 gram substancë e dyshuar kokainë (vlerë e përafërt në treg rreth 180,000 euro), një armë zjarri me 14 fishekë”.
“Të gjithë të dyshuarve kryesor iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga DHTN – Sektori Qendror në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.