Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se autoritetet kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës, raporton Gazeta Enigma.
Ajo ka thekuar se kompania “Novo Javno Preduzeće”, e cila ofronte shërbime të ujësjellësit dhe menaxhimit të mbeturinave, është ndërprerë nga operimi pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Ministrja falënderoi Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe u bëri thirrje organeve të hetuesisë që të nisin hetime të menjëhershme rreth dëmeve dhe përfitimeve të mundshme të shkaktuara nga kjo kompani e jashtëligjshme.