FFK dënon dhunën ndaj futbollistit Belgin Jashari: Ai nuk është vetëm

FFK dënon dhunën ndaj futbollistit Belgin Jashari: Ai nuk është vetëm

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj dhunës fizike dhe verbale të ushtruar ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari, duke e cilësuar këtë ngjarje si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e sportit.

“Ngjarje të tilla bien ndesh me parimet që ne i kultivojmë si shoqëri: respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor. Futbolli është sporti që na bashkon dhe fusha e gjelbër duhet të jetë vend i sigurt për çdo të ri, pavarësisht prejardhjes apo përkatësisë etnike,” thuhet në reagimin e FFK-së, shkruan Gazeta Enigma.

Federata ka theksuar se i qëndron pranë Belginit dhe çdo sportisti që përballet me padrejtësi, duke riafirmuar përkushtimin për të mbrojtur të drejtat e futbollistëve dhe për të krijuar një ambient pa diskriminim dhe paragjykime.

“Futbolli i Kosovës nuk lejon dhe nuk do të tolerojë asnjë formë dhune apo diskriminimi,” thuhet më tej në deklaratë.

Përmes programit Grassroots, FFK zhvillon aktivitete gjithëpërfshirëse gjatë gjithë vitit, me fokus të veçantë tek grupet e margjinalizuara.

Në shenjë solidariteti, FFK njoftoi se në bashkëpunim me KF Fushë Kosova, gjatë javës së ardhshme do të organizohen disa aktivitete në mbështetje të Belgin Jasharit. Gjithashtu, pritet që ai të vizitohet edhe nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

“Belgini është pjesë e familjes sonë të futbollit. Ai nuk është vetëm,” përfundon reagimi i Federatës./GazetaEnigma/

Postimi i plotë:

Related Articles