Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi sot Komuna e Prishtinës rinisi punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, me kryetarin Përparim Rama që tha se nëse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tenton ndalimin e tyre, “atëherë do të intervenojë Policia”.
Abdixhiku tha se sot, Komuna e Prishtinës, “i dha përgjigje dinjitoze bllokuesve të punës”.
Qeverinë në detyrë, i pari i LDK-së e quajti “Bllokues në shtet, bllokues në punë”.
“Vazhdoj me punë! Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiak e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tanë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë. Trashëgimi ky asfallt gërmadhë?! Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen! Ai që ka mend punën nuk ndalet. Prishtina, nuk ndalet!”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.
“Të paaftit dinë vetëm bllokadë! Për tre vite rresht kanë bllokuar në vazhdimësi Sheshin George Bush për një trashëgimi, mbikalimin në Dragodan po ashtu për trashëgimi; nënkalimin te Kuvendi sërish dhe natyrisht për trashëgimi”, u shpreh tutje Abdixhiku.
“Kanë bllokuar Rrugën A për një rast të humbur në fund në gjykatë; Unazën e Jashtme me mos aprovim të një kredie pothuajse falë; Planin Zhvillimor Komunal me interesa të përçudnuara bizneso-partiake, e tatimet vetanake me ligje anti-kushtetuese!”
“Duhesh të jesh vërtet i mbrapshtë për një sjellje të tillë. Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë!”
“Prishtina do të fitojë. Edhe tash, edhe në vjeshtë! Puna le të vazhdojë! Puna, do të vazhdojë! Kjo gërmadhë shpejtë do të shndërrohet në një ndër sheshet më ikonike në vend!”, u shpreh në fund Abdixhiku. /Gazeta Enigma