Ashtu siç ishte paralajmëruar që pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike do të kemi rritje të çmimeve edhe në shumë produkte të tjera, kjo tani më ka filluar të praktikohet në disa biznese dh gastronomi, raporton Gazeta “Enigma”.
Disa foto janë duke qarkulluar në rrjete sociale se në Prishtinë çmimi i kafesë është rritur në 2 euro, gjë që ka ngjallur reagime të shumta tek qytetarët.
Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovvë (AKRK), është duke monitoruar këtë situatë të lëvizjeve të çmimeve.
Në një prononcim për Express ky institucion thotë se nëse ka indikacione për bashkërendim të çmimeve atëherë do të merren masa konform ligjit.
“Autoriteti i Konkurrencës është duke monitoruar me kujdes zhvillimet në treg dhe ka filluar mbledhjen e informatave lidhur me rritjen e çmimit të kafesë, për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me vendime të pavarura të operatorëve apo ndonjë marrëveshje të ndaluar për koordinim çmimesh, siç ndalohet me nenin 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës. Nëse konstatohen indikacione për bashkërendim të çmimeve ndërmjet ndërmarrjeve, do të ndërmerren të gjitha veprimet e parapara me ligjin pë Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në përgjigje.
Pas rritjes së çmimit të rrymës, është alarmuar se sipërmarrjet në Kosovës mund të rrisin çmimet e disa prej produkteve, përfshirë atyre bazike.
Në Kosovë janë organizuar disa protesta si kundërshtim i ndryshimit tarifor nga Zyra e Rregullatrit të Energjisë Elektrike (ZrrE), pasi ndryshimet në treg do të jenë zinxhirore.