Presidenti amerikan Donald Trump e ka emëruar Mike Waltz si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, duke e hequr përfundimisht nga roli si këshilltar i sigurisë kombëtare, pas skandalit që shokoi popullin amerikan, kur Waltz e futi një gazetar në grupin e qeverisë amerikane të krijuar në Signal, ku zbuloheshin detaje për planifikim të sulmeve në Jemen.
Marco Rubio, sekretari amerikan i shtetit, do të jetë këshilltari i përkohshëm i Donald Trumpit për sigurinë kombëtare.
Trump ndau lajmin për emërimin e Waltz si ambasador i ardhshëm i SHBA-së në OKB në plaftormën e tij Truth Social.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se do të emëroj Mike Waltz-in si ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara”, shkroi Trump.
“Që nga koha e tij në uniformë në fushën e betejës, në Kongres dhe, si Këshilltari im për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz ka punuar shumë për të vënë në plan të parë interesat e kombit tonë. E di që ai do të bëjë të njëjtën gjë në rolin e tij të ri”, u shpreh tutje ai.