Më 14 maj shënohet përvjetori i masakrave të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, raporton Gazeta Enigma.
Në këtë masakër u ekzekutuan shqiptarë të paarmatosur nga ushtria serbe.
Me këtë rast presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kujtimi për viktimat mbetet i përhershëm, duke shtuar se drejtësia për ta ende mungon.
“Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb. 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se forcat serbe kryen masakra si akt hakmarrjeje për humbjet që po i pësonin në frontet e luftës.
“102 shqiptarë, civilë të paarmatosur, u ekzekutuan barbarisht nga njësitë e kombinuara ushtarake e policore serbe, si akt hakmarrjeje për humbjet që Serbia pësonte në frontet e luftës. Ishte një krim mizor, i planifikuar dhe i kryer me qëllim të shfarosjes së shqiptarëve në tokën e tyre. Sot, në përvjetorin e këtyre masakrave, kemi kujtuar e nderuar me pietet edhe eprorët dhe luftëtarët e rënë të kësaj ane, që ranë në beteja të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin: Skënder Çeku nga Qyshku, Jahë Kabashi, Blerim e Bekim Kelmendi, dhe Rifat Veseli nga Llabjani”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së tha se ngjarje të tilla të dhimbshme dëshmojnë për rrugën e gjatë dhe me sakrifica drejt lirisë.
“Ngjarje të tilla të dhimbshme dëshmojnë për rrugën e gjatë dhe me plot sakrifica drejt lirisë, por edhe për plagët që ende nuk janë shëruar. Kosova është e mbushur me varre të civilëve të ekzekutuar nga shteti serb në përpjekje për spastrim etnik dhe shumë prej këtyre varreve vazhdojnë të jenë të zbrazëta. Krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen. Drejtësia për viktimat duhet të vihet në vend!”, u shpreh ai.