Rezultatet zgjedhore sërish e ballafaqojnë Kurtin dhe Ramën – A do marrë kthesë të re raporti Kosovë – Shqipëri

Rezultatet zgjedhore sërish e ballafaqojnë Kurtin dhe Ramën – A do marrë kthesë të re raporti Kosovë – Shqipëri

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri kanë sjellë një moment kyç për politikën e brendshme shqiptare, por pasojat e tyre pritet të ndikojnë edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht duke pasur parasysh raportin kompleks mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologut të tij kosovar, Albin Kurti, shkruan Gazeta “Enigma”.

Me Partinë Socialiste të Ramës që ka forcuar pozitat e saj në zgjedhjet e fundit, dhe me Kurtin që vazhdon të udhëheqë Kosovën pas fitores në zgjedhjet e shkurtit 2025, pyetja kryesore është: Si do të ndikojë ky rezultat në dinamikën mes dy liderëve dhe bashkëpunimin mes dy vendeve?

Marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit nuk kanë qenë kurrë të thjeshta.

Që nga ardhja në pushtet e Kurtit në Kosovë, dallimet ideologjike dhe qasjet e ndryshme politike kanë krijuar fërkime të dukshme.

Një nga pikat kryesore të përplasjes ka qenë qëndrimi ndaj çështjeve rajonale, si nisma e “Ballkanit të Hapur”, e cila u mbështet nga Rama, por u kritikua ashpër nga Kurti si një projekt që mund të dobësonte interesat e Kosovës.

Për më tepër, aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit në Shqipëri, përfshirë hapjen e një dege në Tiranë dhe mbështetjen për protesta kundër politikave të Ramës, kanë irrituar kryeministrin shqiptar.

Këto veprime janë parë si përpjekje të Kurtit për të shtrirë ndikimin e tij politik përtej kufijve të Kosovës, një lëvizje që Rama e ka konsideruar si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Analisti i çështjeve politike, Blerim Burjani, tha se marrëdhëniet mes dy liderëve shtetëror mund të mbesin në fazën e njëjtë.

“Raportet mund të mbeten të njëjta, pasi për momentin nuk duket se ka sinjale që do të ndryshojë qasja e Ramës ndaj Kurtit apo anasjelltas. Në të njëjtën kohë, raportet mund të përcaktohen secili në rrugën e vet. Të shohim nëse ndonjëri prej tyre do të hapë rrugë që këto marrëdhënie të jenë më të ndryshme dhe më pozitive për strategjitë kombëtare të veprimit”, tha Burjani për Gazetën “Enigma”.

Involvimi i VV-së në politikën shqiptare sipas Burjanit, mund të jetë i dëmshëm në raportet si me Ramën, ashtu edhe me kreun e PD-së, Sali Berisha.

“VV mund të jetë e dëmshme në raportet si me Ramën, ashtu edhe me Berishën, edhe pse nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin politik në Shqipëri.

Raportet janë të ngrira për disa arsye: Për shkak të qasjes së ndryshme të VV-së dhe Ramës në politikën rajonale dhe ndërkombëtare ndaj BE-së dhe SHBA-së. Rama punon për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa Kurti ka probleme të mëdha në këtë relacion për shkak të qasjes joekuilibruese me parimet e BE-së. Me SHBA-në gjithashtu, deri më tash, raportet kanë qenë në “pauze”, jo të gjalla, thjesht në nivel ambasadorësh”, shtoi ai.

Tutje, Burjani tregon se si mund të rregullohen raportet mes Ramës dhe Kurtit në të ardhmen.

“Raportet mund të ndryshojnë me angazhim të dyanshëm përmes koordinimit në politikën rajonale dhe me BE-në e SHBA-në. Një qasje fleksibile ndaj miqve tanë, koordinim dhe qasje integrative në politikën ndërkombëtare, si dhe zhvillimi ekonomik dhe ai kulturor me Shqipërinë, mund të përmirësojnë këto marrëdhënie”, përfundoi ai.

Njohësi i politikës së jashtme, Akri Cipa, tha për Gazetën “Enigma” se marrëdhënia mes dy liderëve shtetëror ka pasur luhatje, mirëpo bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë në rritje.

“Marrëdhënia ndërmjet dy kryeministrave ka pasur luhatje përgjatë viteve të fundit, mbi të gjitha për shkak të personaliteteve të forta individuale të të dy liderëve dhe një kompeticioni edhe politik, për rolin e secilit prej tyre brenda kontekstit të hapësirës shqiptare në Ballkan, që nuk e shikoj si të dëmshëm në vetvete. Ajo që është më e rëndësishme është se nuk ka një problematikë strukturore në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe ky është një element që nuk theksohet mjaftueshëm. Në fakt, e kundërta është e vërtetë, shkëmbimet e bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë intensifikohen dita ditës, si në rrafsh institucional, edhe në aspektin shoqëror”, tha ai.

Cipa nuk e sheh si pikë përcarëse praninë e Vetëvendosjes në Shqipëeri.

“Për sa i përket pranisë së Vetëvendosjes në Shqipëri, nuk mendoj se ekziston si problem, duke marrë parasysh dhe tërheqjen e saj nga aktiviteti politik përgjatë zgjedhjeve të fundit.Nisur nga ndryshimet e rëndësishme në kontekstin ndërkombëtar, veçanërisht në rrafshin gjeopolitik, gjasat janë që kryeministri Kurti dhe kryeministri Rama të kenë një përafrim të natyrshëm.Domosdoshmëria e përballimit të sfidave të përbashkëta, jo vetëm shtetërore, por edhe kombëtare, përpara ndryshimeve të dinamikave globale gjykoj që do të sendërtojë një nivel të ri komunikimi ndërmjet dy liderëve” shtoi ai.

“Sigurisht kemi dhe një ndryshim në kontekstin e brendshëm politik, ku zoti Rama do të ketë në sensin numerik mandatin më solid parlamentar që kur ka marrë pushtetin në vitin 2013, ndërkohë që zoti Kurti përballet me një mandat ku nevojitet kompromisi politik me subjekte të tjera politike në Kosovë. Kjo do të pasqyrohet dukshëm në qasjet e ndryshuara që do të kenë brenda skenave të brendshme politike, në raport me njëri-tjetrin, por edhe, më gjerësisht, në lidhje me politikën e jashtme dhe angazhimin ndërkombëtar”, përfundoi ai./ Gazeta Enigma/

Related Articles