Barra prej afro 5 eurove për tiketën ngjitëse që iu është shtuar kosovarëve që do të regjistrojnë veturat e tyre, menjëherë pas gëzimit pas nisjes së procedurave për heqjen e homologimit, ka nxitur reagime të shumta dhe përplasje mes opozitës dhe pushtetit. Për këtë taksë, është deklaruar edhe ish-Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, të cilit iu gjuajt faji për të.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, i cili e ka vendosur firmën e tij mbi marrëveshjen për tiketën ngjitëse, ka thënë se të njëjtën e ka gjetur në tavolinë dhe se s’ka pasur rrugë tjetër pos që ta nënshkruaj.
Durmishi fajin ia ka gjuajtur ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt. Sipas tij, ish-ministri Lekaj e ka përgatitur këtë proces për një kompani të vetën.
“Ministria e Pal Lekajt, e ka përgatitur këtë proces për një kompani të vetën. Kompania është shpallur e papërgjegjshme nga komisioni vlerësues. E kur ka fituar kompania që këta nuk kanë dashtë me ia dhanë këtë projekt, sekretari e ka anuluar raportin e komisionit vlerësues, gjë që është shkelje ligjore. Pas kësaj, kompania e cila i ka plotësuar kriteret ka bërë kërkesë për interpretim ligjor në Zyrën e Kryeministrit”, është shprehur Durmishi.
“Interpretimi ligjor është se ky vendim i sekretarit është antiligjor dhe është nul, i pavlefshëm. Kjo është arsyeja pse unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje. Po të kishte anulim, unë nuk do ta nënshkruaja”, shtoi Durmishi.
Për këto akuza ka folur ish-ministri Pal Lekaj.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Lekaj e ka pranuar se procedurat janë hapur në kohën sa ai e ka drejtuar Ministrinë së Infrastrukturës, por ka thënë se procesi ishte anuluar më pas, përcjellë Gazeta Enigma.
Sipas tij, arsye për këtë kanë qenë procedurat në kundërshtim me Ligjin e Prokurorimit dhe çmimi i lartë i taksës.
“Procedurat është e vërtetë se janë zhvilluar nga Departamenti i Automjeteve në vitin 2018, por duke e parë se procedurat janë tentuar të zhvillohen në kundërshtim me Ligjin e Prokurorimit dhe çmimin e lartë që bëhet barrë për qytetarët kosovarë, po ashtu më duket se ka pas më duket edhe disa dyshime lidhur me cilësinë e etiketës”, ka thënë Lekaj.
Ai ka treguar se procesi është anuluar nga Sekretari i Ministrisë.
“Në atë kohë, sekretari duke u bazuar në argumentet e lartëcekura e kishte anuluar këtë proces që është kryekëputë kompetencë e sekretarit dhe si duket kësaj here ka kaluar nëpër duart e të emëruarve politik, pra që janë Ministri Liburn Aliu dhe zv/ministri Hysen Durmishi, dhe kjo përbën edhe një shkelje tjetër ligjore dhe të mos harrojmë faktin që përsëri gjithçka ka shkuar në kundërshtim me Ligjin e Prokurorimit”, thuhet në përgjigjet e Lekajt.
Edhe nga “Auto Control Kosova” kanë deklaruar se procesi në lidhje me ofrimin e shërbimit me “Tiketë ngjitëse” ka filluar më 19 shtator të vitit 2018, kur edhe ishte shpallur njoftimi publik në ëeb faqen e Ministrisë së Infrastrukturës.
“Për ofrimin e këtij shërbimi kanë paraqitur ofertë 3 operatorë ekonomikë, ne mesin e tyre edhe ne si Auto Control Kosova SH.P.K në partneritet me kompaninë austriake Forster Verkehrs- und Ëerbetechnik GmbH (tutje: FORSTER). Pas vlerësimeve është konstatuar se Auto Control Kosova – SHPK i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret, ndërsa 2 operatorët e tjerë nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e kërkuara. Pra, procesi ka qenë i hapur për të gjitha kompanitë pa asnjë kufizim dhe është respektuar konkurrenca e lire”, thuhet në përgjigjet kompanisë.
Kompania thotë se atyre u është mohuar e drejta e fituar për tri vite, meqenëse ky proces është finalizuar tek në qershor të këtij viti.
“Ky proces përkundër vonesave, ka kaluar të gjitha fazat e vlerësimit dhe është finalizuar në pajtim me legjislacionin në fuqi, vetëm në qershor 2021. Për ne si kompani (Auto Control Kosova), e sidomos kompaninë partnere FORSTER, ka qenë e pakuptimtë pse për 3 vite me radhë na është mohuar një e drejtë e fituar, dhe nga mos ofrimi i këtij shërbimi me “Tiketë ngjitëse” është dëmtuar interesi publik (Ketë do ta sqarojmë për juve në vijim të shkresës)”, kanë deklaruar nga “Auto Control Kosova”.
Këtë taksë, kompania e ka arsyetuar me të mirat që thotë se ofron, e që sipas saj janë: Rritja e sigurisë në rrugë, ndalja e humbjeve prej 20 milionë eurove nga aksidentet e makinave të paregjistruar, uljen e humbjeve nga makinat e paregjistruara, anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër, derisa thonë se më këtë shërbim do të mundësohet edhe heqja e pagesës shtesë prej 30 euro që paguhet me rastin e regjistrimit të veturës.
“Ky shërbim mundëson heqjen e pagesës prej 30 euro shtesë që aktualisht qytetarë e paguajnë me rastin e regjistrimit te automjetit (Pra, me ofrimin e këtij shërbimi me “Tiketë ngjitëse” paguhen 4.90 euro dhe krijohen kushtet qe te hiqet pagesa prej 30 euro, e me ketë qytetari paguan 25 euro me pak, nga sa paguan aktualisht. Pra, e ritheksojmë se vetëm ne lidhje me ketë taksë, qytetari do të paguaj 25 euro me pak, pas zbatimit te këtij shërbimi”, thuhet tutje në përgjigje.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, “Auto Control Kosova” është regjistruar si biznes tek në qershor të vitit 2018.
Kapitali i saj është 1 mijë euro, ka vetëm tre punëtorë, derisa numri i aksionarëve shkon në shtatë.
Si aktivitet primar, kjo kompani e ka deklaruar tregtinë me shumicë të pjesëve dhe aksesorëve të automjeteve.
E nëse gjithçka shkon sipas marrëveshjes, kjo kompani pritet të ketë qarkullim vjetor rreth 2 milionë euro.