Igli Tare emërohet Drejtor Sportiv i Milanit

Igli Tare emërohet Drejtor Sportiv i Milanit

Milani ka njoftuar zyrtarisht se Igli Tare është drejtori i ri sportiv pas muajsh negociatash, duke nënshkruar një kontratë tre-vjeçare.

“AC Milan njofton emërimin e Igli Tare si drejtor sportiv të ekipit të parë. Ai do të raportojë drejtpërdrejt te drejtori ekzekutiv i klubit, Giorgio Furlani”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

“Jemi të kënaqur të mirëpresim Igli Taren në familjen Rossoneri”.

“Ai është personi i duhur për të nisur rifillimin tonë: kompetenca, vendosmëria dhe vlerat e forta, të kombinuara me një kuptim të thellë të futbollit italian dhe një vizion ndërkombëtar, e bëjnë atë profilin ideal për të mbështetur kapitullin e ardhshëm të klubit, përmes zhvillimit të një projekti ambicioz sportiv”, shtoi Furlani në faqen zyrtare të klubit.

Një ish-sulmues dhe lojtar i kombëtares së Shqipërisë që luajti në Serie A për Brescian, Bolognan dhe Lazion, Tare e filloi karrierën e tij si drejtor sportiv te Lazio menjëherë pas daljes në pension në vitin 2008.

“Të bëhesh pjesë e një klubi si Milani është një burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. Falënderoj klubin që më besoi këtë rol”.

“Klubi e njeh vendosmërinë time të fortë dhe dëshirën time për të pasur sukses.Do t’ia kushtoj të gjithë përvojën time shërbimit ndaj këtij klubi të madh, i cili është i vendosur të kthehet në ballë të futbollit italian dhe evropian”, ka thënë Tare pasi mori këtë rol.

Related Articles