Pjesëtarët e Njësitit të Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, me dyshimet për përfshirje në një çështje të lidhur me një fabrikë për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Gjatë ndërhyrjes, hetuesit kanë marrë disa materiale të cilat dyshohet se lidhen me rastin në fjalë.
Ndërkaq, prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala po qëndron në hapësirat e Ministrisë së Bujqësisë, ku që disa orë po kryhen bastisje në lidhje me rastin për mbetjet shtazore.
Shala para mediave ka treguar se ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore.
“Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu me autorizimin tonë, policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Veterinarisë dhe lokacioni i vetenerinarisë ë kompanisë përfituese”, tha Shala.
Ndërkaq, nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione.
“Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, kanë thënë nga Prokuroria.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se: “Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, thanë për Telegrafin nga Policia e Kosovës.