Të hënën, më 19 korrik, një takim i nivelit të lartë i dialogut midis kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq do të ndodh në Bruksel, shkruan Gazeta “Enigma”.
Për të dytën herë, Kurti dhe Vuçiq do të ballafaqohen, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák.
Siç kanë njoftuar nga zyra e BE-së, për “Enigmën”, takimi do të filloj në orën 14:00, kurse deklaratat për media do të bëhen në orën 18:00.
“Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit (rreth orës 14.00) dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 18:00)”, është thënë nga BE-ja.
Ndërkohë nga opozita dhe shoqëria civile, pritjet janë minimale, se nga ky takim do të dilet me zhvillime konkrete.
PDK kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog, s’i beson Kurtit
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala në një prononcim për Gazetën “Enigma”, e ka cilësuar si pa epilog, e jo transparent zhvillimin e dialogut nga ana e palës kosovare.
Madje ai ka thënë se nuk pret asnjë rezultat konkret nga takimi i të hënës.
“Ne nuk presim asnjë rezultat nga dialogu, që është duke i zhvilluar aktualisht, jashtëzakonisht është i pa përgatitur, dhe Z.Kurti në vend se të raportoj para se të shkoj në Bruksel, ai ka zgjedhur një rrugë tjetër, atë të pushimit dhe rekreacionit në simpoziume shkencore e në festivale filmi, kështu që nuk ka as transparencë as përgatitje, e rrjedhimisht as rezultat”, ka thënë ai.
Tutje ai për Enigmën, ka thënë se Kurti tashmë ka shkelur gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës sa i përket dialogut.
“Dialogut nuk duhet të iket, por duhet të ketë transparencë, të jetë i përgatitur, të ketë platformë dhe debat të brendshëm për të ndërtuar një konsensus maksimal që i duhet vendit. Asnjë nga këto Z.Kurti nuk ka dhënë asnjë premisë për të arritur atë që duhet. Për më keq edhe premtimet e veta për dialogun i ka shkelur njëqind përqind”, theksoi tutje ai.
Në anën tjetër njohësi i procesit të dialogut, Besnik Vasolli ka thënë se nuk pret shumë nga takimi i radhës Kurti-Vuçiq, ndonëse vlerëson se epilogu i takimit do të jetë i ngjashëm me të herëve të kaluara.
Ai ka thënë se në katër kërkesat e kryeministrit Kurti nuk ka pasur përgjigje konkrete dhe se shihet se palët janë pozicionuar në qëllimet e tyre. Për të gjetur zgjidhje, Vasolli kërkon përfshirjen më aktive të ShBA-së që palët të fillojnë dialogun dhe të shkohet drejt një marrëveshjeje.
“Do të jetë një takim i ngjashëm me të kaluarën. Zotëri Kurti ka parashtruar disa kërkesa për të cilat nuk kemi parë përgjigje konkrete. Kështu që mendoj që të dy palët janë pozicionuar dhe nuk janë duke treguar gatishmëri për të lëvizë nga ato pozicione. Sa do të arrijë BE-ja që t’i bind të lëvizin nga pozicionet e tyre, unë e kam pikëpyetje. Ndoshta ShBA, që duket janë të involvuara kanë mundësi të bëjnë pak lobim dhe ndikim pozitiv tek dy palët që të vazhdohet me dialog dhe të shkohet drejtë një marrëveshje”, ka thënë Vasolli.
Asociacioni, pika ndarëse midis Serbisë dhe Kosovës
Ndërkohë, zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet pika ndarëse midis palës kosovare dhe asaj serbe.
Tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të qartë se nuk të lejoj themelimin e Asociacionit mbi baza etnike, ndërsa një kërkesë e tillë përsëritet vazhdimisht nga autoritetet serbe.
Më 5 korrik, Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, në një intervistë, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është obligim të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë.
Ai ka theksuar që “ekzistojnë mekanizma përmes të cilave Kosova mund të zgjidhë këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet”.
Se a do të jetë Asociacioni sërish temë e diskutimeve, nuk është bërë e qartë nga pala kosovare.
Ndërkaq, procesi i dialogut Kosovë-Serbi, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, si dialog për çështje teknike, për të evoluuar më pas në dialog të nivelit politik.
Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti.
Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut./Gazeta Enigma.