Komuna e Gjilanit është ndër qytetet e pakta në Kosovë, e cila që nga 16 korrik 2021 ka filluar fushata kundër shfrytëzimit të fëmijëve në kërkim lëmoshe, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kjo fushatë është nisur nga njësitet policore të “Policisë në Komunitet”.
Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, Stacioni Policor në Gjilan, dhe njësitet “Policia në Komunitet” kanë nisur këtë aktivitet me qëllim të vetëdijesimit të popullatës që të mos u jepen para fëmijëve lypsarë.
“Jo rrallë janë identifikuar fëmijë që pa vullnetin e tyre gjenden në rrugë tërë ditën duke kërkuar lëmoshë në këto temperatura të larta”, ka thënë Hashani për Gazeten “Enigma”.
Për këtë fushatë e cila do të vazhdoj për disa ditë janë shpërndarë fletushka informuese nëpër sheshe, biznese dhe kalimtarëve të rastit.
“Do të na shihni në vazhdimësi disa ditë duke shpërndarë fletushka informuese me qëllim që qytetarët të kenë të qartë fushatën kundër shfrytëzimit të fëmijëve në kërkim-lëmoshë”, ka shtuar ai.
Njëkohësisht Hashani ka bërë të ditur se Policia e Kosovës po bënë çdo gjë që është e mundur që t’u gjenden prindërit këtyre fëmijëve dhe ata të largohen nga rruga e t’i kthehen shkollimit. Ai apelon qytetarët që mos të ju jepen para fëmijëve, sepse kjo gjë i dëmton ata.
“Dhënia e lëmoshës është ma tepër goditje se sa ndihmë për ta”, ka shtuar Hashani.
Qytetarët të gatshëm të bashkëpunojnë me Policinë
Këtë iniciativë të organeve kompetente të Gjilanit, e kanë mirëpritur më së shumti qyetetarët.
Gazeta “Enigma”, ka intervistuar disa prej tyre, me ç’rast ata janë shprehur se do të jenë bashkëpunues dhe njëkohësisht kanë treguar shqetësimet e tyre.
“Kjo fushatë më pëlqen, është iniciativë më se e qëlluar dhe unë si qytetar i Gjilanit jam i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë dhe organet kompetente që kjo fuashtë të ketë me të vërtet efekt”, është shprehur Artioli, nga Gjilani.
“Jam në dijeni të fushatës, është punë e mirë por në të njëjtën kohë më brengos numri i madh i fëmijëve në rrugë që kërkojnë lëmoshë, andaj shpresoj që kjo fushatë me të vërtet të funksionoj edhe në praktikë”, ka thënë pronari i një biznesi në këtë Komunë.
“ Është e pamundur edhe kafen rahat me pi, nga numri i madh i lypsarëve që kërkojnë lëmoshë”, është shprehur e shqetësuar, Urata.
Ndërkaq, plani operativ i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) ka përfshirë periudhën kohore nga 12 deri 16 korriku i vitit 2021.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) ka realizuar planin operativ “Identifikimi i Fëmijëve Lëmosh-Kërkues si viktima të mundshme të Trafikimit”, i cili është zbatuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në njoftimin për media Policia e Kosovës ka bërë të ditur që ky plan ka rezultuar me identifikimin e (66)lëmosh kërkuesve, prej tyre (42) fëmijë dhe (24) të rritur, ku numri më i madh i tyre janë nga Shqipëria.
Policia gjithashtu ka theksuar se gjatë fazës së implementimit janë iniciuar gjithsej (13) raste, prej tyre (1) “Trafikim me Njerëz” dhe (12) “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” me ç’rast janë dorëzuar kallëzime penale kundër (15) të dyshuarve, prindër të fëmijëve lëmoshë kërkues, ndërsa (17) fëmijë janë referuar në Qendrat për Punë Sociale./Gazeta Enigma/.