Ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila pritet të luhet të shtunën, ka kaluar kufijtë e sportit dhe ka rikthyer në vëmendje tensionet historike, politike dhe emocionale të rajonit. Në një artikull të veçantë, prestigjiozja amerikane Associated Press (AP) ka analizuar përmasat që kjo sfidë ka marrë – jo vetëm në fushën e blertë.
“Në 2014, Shqipërisë iu dha fitorja 3-0”, kujton AP, duke iu referuar incidentit famëkeq në Beograd, kur loja u ndërpre pas tensioneve në stadium. “Kjo fitore siguroi kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian 2016 — hera e parë në histori për kombëtaren shqiptare”.
Por, sipas agjencisë, kjo nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli: “Futbolli, shpesh pasqyrë e nacionalizmit dhe politikës, pasqyroi këtë ndarje të thellë. Edhe përpara ndeshjes, ajo përballje ishte cilësuar me rrezik të lartë”, shkruan AP, duke përmendur gjithashtu se Kosova – e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 – është një ndër arsyet kryesore të tensioneve, për shkak të mosnjohjes nga ana e Beogradit.
Në sfidën e radhës, për të cilën flitet me përmbajtje shqetësimi, pjesë e rëndësishme e analizës së AP-së është përbërja e vetë Kombëtares shqiptare. “Pothuajse gjysma e skuadrës shqiptare përbëhet nga lojtarë me origjinë shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Serbia jugore”, thekson artikulli.
Në thelb të gjithçkaje qëndron emocioni dhe përballja me kujtimet: “Për lojtarët, kjo është një ndeshje e mbuluar nga hija e historisë, politikës dhe krenarisë kombëtare — një kujtesë se nganjëherë sporti nuk është thjesht një lojë”, shkruan AP.
Në këtë frymë ka folur edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, pjesë e ndeshjes së tensionuar të vitit 2014: “Duhet të jemi të qetë dhe të vetëdijshëm se jemi futbollistë. Jemi këtu për të kënaqur tifozët dhe për të dhënë më të mirën për fitoren”, është shprehur ai për agjencinë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë thirrje për qetësi dhe fokus në lojë: “Lojtarët nuk bartin barrën e historisë apo të tensioneve politike. Ata konkurrojnë në fushë për të fituar, për të dhënë më të mirën për fanellën që përfaqësojnë dhe, mbi të gjitha, për të ndërtuar ura respekti përmes lojës”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, retorika politike në Serbi nuk ka munguar. Sipas AP, presidenti serb Aleksandar Vuçic ka shtuar tensionet me një deklaratë të drejtpërdrejtë në një tubim publik:
“Shkoni atje dhe mundini”, i tha ai trajnerit Dragan Stojkoviç, i njohur ndryshe si Piksi.
Ndërsa vetë Stojkoviç dhe disa lojtarë serbë kanë tentuar të ulin tonet: “Të gjithë thonë se ndeshja e parë është shumë e rëndësishme. Jemi shumë të përqendruar për ta nisur ashtu siç duam dhe do të përgatitemi të luajmë sa më mirë që mundemi, me gjithë respektin për Shqipërinë”, theksoi trajneri.