Sot, presidentja e vendit Vjosa Osmani, e ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, tha se KQZ-ja do të mbajë mbledhje për të miratuar afatet dhe planin e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Elezi theksoi se çka përfshijnë këto aktivitete.
“Miratimi i afateve dhe i planit të aktiviteteve do të përcaktojë saktësisht fillimin dhe përfundimin e çdo aktiviteti zgjedhor. Këto aktivitete, që ndërlidhen drejtpërdrejt me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, ndër të tjera përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve, e të tjera”, tha Elezi.