Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale, Arbër Ismajli, ka reaguar ashpër pas vendimit të Komunës për largimin nga pozita të dhjetë drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ismajli e ka quajtur këtë veprim një “hakmarrje politike shumë të ulët”, duke thënë se largimet janë bërë në mënyrë të padrejtë dhe pa bazë, duke anashkaluar përvojën dhe meritat profesionale të të shkarkuarve.
“Drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave që u larguan padrejtësisht janë viktima të një hakmarrjeje politike shumë të ulët. Në vend të meritës dhe përvojës, u zëvendësuan për interesa të ngushta,” ka deklaruar Ismajli.
Ai ka akuzuar pushtetin aktual se po manipulon me konkurset publike për t’i mbushur pozitat me militantë partiakë, duke shtuar se po shkelen ligjet dhe se arsimi në Gjilan po pëson rëndë si pasojë.
“Konkurset publike po manipulohen për militantë, ligji po shkelet, dhe arsimi po goditet rëndë. Asnjëherë nuk do të pranojmë që shkollat tona të humbasin rolin e tyre edukues e menaxhues për interesa të dikujt,” ka theksuar ai.
Në fund të reagimit të tij, Ismajli ka paralajmëruar ndryshim në zgjedhjet e tetorit: “Drejtësia dhe profesionalizmi do të kthehen në udhëheqje të arsimit. Tetori po vjen bashkë me përgjigjen e merituar!”
LEXO EDHE: