Ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi përmes televizionit shtetëror se “Serbia do të fitojë sërish ndaj Kosovës”, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ish-deputeti serb Dragan Sormaz, ish-anëtar i partisë së Vuçiqit, e cilësoi këtë si një deklaratë për përdorim të brendshëm dhe kritikoi liderin serb për mosveprime konkrete.
Sormaz theksoi se nga Banjska e më tej, Kosova ka konsoliduar pushtetin e saj në veri, një zonë ku më parë Serbia kishte ndikim, dhe për këtë ai vlerësoi se Vuçiqi është kryesisht përgjegjës përmes dialogut në Bruksel.
“Analfabet politik, që e dëshmon çdo ditë. E atë që e thotë për Kosovën, është e rëndësishme çfarë punohet, dhe ju e shihni se ai nuk po bën gjë. Shihet se Kosova që nga Banjska e këndej e ka vendosur shtetin në veri të Kosovës, ku më parë nuk e ka pasur, e tash e ka në tërësi pushtetin”.
“Kush është meritor për këtë? Dialogu në Bruksel, e nga ana e Serbisë, më së shumti meritor Vuçiq. Këto intervista të tija janë për përdorim të brendshëm, për të ruajtur votuesin e fortë të tij, sepse nuk mund të rrit votuesit, sepse numri i votuesve të tij vazhdimisht po bie nga rrëzimi i platformës së trenit, nga protestat e studentëve e kështu me radhë”, tha Sormaz.
Në lidhje me emërimin e Aleksandër Vulinit në një organizatë të inteligjencës ruse me seli në Beograd, Sormaz tha se kjo do të përdoret për propagandë anti-BE dhe NATO dhe nuk do të ketë ndikim në Kosovë, por do të forcojë narrative ortodokse në rajone të tjera të Ballkanit.
“Nëse ka Vulini gisht në media, të vazhdojë helmimi i qytetarëve tonë dhe me propagandën pro-ruse, gënjeshtare, humbëse, që mban Serbinë larg nga botës euro-atlantike, BE-së, dhe NATO-s. Është organizatë që formohet në Moskë, me sa e kuptoj, por do të ketë fushëveprimin e saj në Serbi. Çka na duhet një shoqëri historike ruse në Serbi? Nuk kemi asnjë kontakt me ta, jemi mijëra kilometra larg Rusisë. Më mirë le të jetë shoqëria historike shqiptare në Beograd dhe ajo serbe në Tiranë, të mësojmë nga njëri-tjetri, e jo kjo marrëzia ruse”, tha ai për Tëvë1.
Sipas Sormazit, shumica e serbëve jetojnë jashtë Kosovës dhe kjo organizatë nuk do të ndikojë në situatën në veri të Kosovës apo në komunitetin serb aty.
“Mendoj se nuk do të ketë efekt në Kosovë e as në serbët në Kosovë, janë të pakët. Më shumë serbë jetojnë në qytetin tim në Smederevë, se sa që jetojnë në Kosovë. Ajo do të jetë pjesë e të them përforcimit të narratives ortodokse në atë që Vulini e quan ‘Bota Serbe’. Këtë përrallë të tij me të do ta tregojë Dodiku në Republika Serbe, Stefaniç, dhe njerëzit e tij në Mal të Zi, por nuk besoj se do të ketë efekt në Kosovë dhe në veri të Kosovës”, tha Sormaz.