Vlera e skuadrave më të mëdha të Evropës ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë sezonit që lamë pas, dhe sipas të dhënave të fundit nga Transfermarkt, kemi një panoramë të qartë të 10 klubeve më të vlefshme në botë për momentin.
Në krye të listës qëndron Real Madridi, i ndjekur nga Manchester City dhe Arsenali, ndërkohë që Barcelona ka bërë një kërcim të madh në renditje.
Real Madridi, lider absolut
Sipas tabelës së publikuar, Real Madridi renditet i pari me një vlerë totale të skuadrës prej 1.33 miliardë euro, duke e bërë atë skuadrën më të vlefshme në botë.
Kjo rritje e vlerës i atribuohet talentëve të rinj si Jude Bellingham dhe Vinicius Jr, por edhe bashkimit të Kylian Mbappe.
Manchester City dhe Arsenali në ndjekje të ngushtë
Në vendin e dytë qëndron Manchester City me një vlerë prej 1.32 miliardë euro, vetëm 10 milionë më pak se Real Madridi. Dominimi i tyre në Angli ndër vite dhe konsistenca në Evropë kanë ndikuar në ruajtjen e këtij statusi.
Arsenali mban vendin e tretë me 1.09 miliardë euro, duke treguar rritje të jashtëzakonshme pas përforcimeve strategjike dhe një sezoni konkurrues në Angli.
Barcelona i bashkohet “klubit të miliarderëve”
Rritja më e madhe ndër skuadrat në “top 10” është ajo e FC Barcelonës, e cila ka shtuar 190 milionë euro në vlerën e skuadrës së saj brenda një sezoni.
Aktualisht, skuadra katalanase vlen 1.07 miliardë euro, duke kaluar për herë të parë pas kohësh kufirin simbolik të një miliard eurove. Kjo rritje vjen si pasojë e shpërthimit të lojtarëve të rinj si Lamine Yamal, Gavi dhe Pedri, si dhe përmirësimeve në performancë gjatë kampionatit.
PSG dhe Chelsea ndjekin nga afër
Në vendin e pestë dhe të gjashtë qëndrojnë Paris Saint-Germain dhe Chelsea, me nga 1.06 miliardë euro vlerë totale skuadre.
Pavarësisht largimit të Mbappe nga PSG, klubi parisien ka ruajtur vlerën falë talenteve të rinj dhe përforcimeve të fundit.
Chelsea, megjithë një sezon të vështirë, por me trofe evropian, vazhdon të mbetet në top-listë për shkak të investimeve të mëdha.
Gjigantët tradicionalë plotësojnë top 10 – Liga Premier dominimi absolut
Në vendin e shtatë qëndron Bayern Munich me 903.5 milionë euro, i ndjekur nga Liverpool (867.5 milionë euro), Tottenham Hotspur (766.1 milionë euro) dhe Inter, i vetmi përfaqësues nga Serie A, me një vlerë prej 721.8 milionë euro.
Nga lista prej 10 klubeve më të vlefshme, 5 prej tyre vijnë nga Liga Premier, çka tregon fuqinë ekonomike dhe konkurruese të këtij kampionati.
Spanja ka dy përfaqësues, ndërsa Gjermania, Franca dhe Italia kanë nga një përfaqësues secila, duke dëshmuar për balancën që ekziston mes elitës së futbollit evropian, edhe pse dominimi anglez është i dukshëm.