Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se e kanë ndaluar Serbinë që të niste ndonjë përplasje.
Këtë deklaratë, Trumpi e bëri gjatë konferencës për media pas përfundimit të samitit të NATO-s në Hagë gjatë të mërkurës.
“I dhamë fund Ruandës dhe Kongos, do të vijnë të nënshkruajnë dokumentet. Ata veçse i kanë nënshkruar dokumentet bazike, por mendoj se do të vijnë në Shtëpinë e Bardhë të premten. Ia ndaluam Serbisë që të niste me sulme”, tha Trump para mediave.
Ndonëse në deklarimin e tij ai nuk e përmendi se me kë do të niste përplasjen Serbia, mund të supozohet se fjala ishte për Kosovën.
Kjo për shkak se më herët, gjatë po të njëjtës konferencë, ai tha se “javët e fundit jemi marrë me Kosovën dhe Serbinë”.
Kohëve të fundit, presidenti amerikan në raste të caktuara është duke iu referuar çështjes mes Prishtinës e Beogradit.