S’ka tryezë të rrumbullakët, Osmani takon nesër krerët partiakë “veç e veç”

S’ka tryezë të rrumbullakët, Osmani takon nesër krerët partiakë “veç e veç”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i presë në dy ditët e ardhshme në takim udhëheqësit e partive politike në përpjekje për dalje nga ngërçi politik. Partitë politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa për dallim nga herët e kaluara, formati i takimeve kësaj radhe do të jetë “veç e veç”.

Ky është takimi i dytë që presidentja Osmani pritet ta ketë me krerët politikë rreth bllokadës parlamentare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte i pari që konfirmoi se ka pranuar një ftesë nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për një takim, për të mërkurën.

Krasniqi e ka vlerësuar si pozitive angazhimin e Osmanit, por është shprehur skeptik për sa i përket rezultatit të takimit.

“Qëndrimi jonë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek presidentja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneçësisë politike të VV-së“, ka thënë Krasniqi.

Gatishmërinë për takim e theksuan edhe nga partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje. Këtë e tha deputetja Albulena Haxhiu, e cila nuk përjashtoi mundësinë që edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti të ftojë krerët politikë edhe në një takim tjetër.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në takimet e radhës të ftuara nga presidentja Osmani. Nuk përjashtojmë asnjëherë që të ketë takime që ftohen edhe nga kryetari Kurti…Është e pakuptimtë që të shkosh në takim dhe të mos bësh asnjë lëvizje. Për sa kohë ne kemi bërë lëvizje, i ka përmendur edhe kryetari Albin Kurti pas takimit që i ka ftuar”, tha Haxhiu.

Pjesëmarrjen në takim e konfirmuan edhe nga LDK-ja e AAK-ja.

Partitë politike nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh. Kushtetuesja ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera.

Ndonëse pati propozime, ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis.

Në anën tjetër Kurti deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga ish-opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.

Kurti akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqlexim të aktgjykimit të Kushtetueses.

Kosova po hyn në muajit e pestë të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe në muajin e tretë që kur është mbajtur seanca e parë për konstituimin e Kuvendit. Që nga 15 prilli, seanca konstituive ka dështuar në 40 vazhdime të saj. 

Related Articles