Ambasada gjermane në Prishtinë ka reaguar pas deklaratave të fundit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të ndalojnë Qeverinë e Kosovës të ndërtojë dy ura paralelisht me atë kryesoren mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ambasada e Gjermanisë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga veprimet përshkallëzuese, por Petkoviqit ia ka përmendur dështimin e Serbisë për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Ambasada Gjermane ka marrë shënim letrën e fundit të Dr. Petar Petkoviq, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të saj Anëtare dhe palëve të tjera të interesuara që të ndalojnë atë që ai i përshkruan si “veprime përshkallëzuese të situatës nga Prishtina”, përkatësisht ndërtimin e planifikuar të dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Siç e kemi deklaruar vazhdimisht në përgjigjet tona ndaj pyetjeve të mëparshme të mediave, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga lëvizjet përshkallëzuese.
Megjithatë, thirrjet për ulje të tensioneve duhet të vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjitha palët. Sigurisht që nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, z. Radoiçiq, pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellësisht përpjekjet për të nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon”, thuhet në një reagim të lëshuar nga Ambasada Gjermane.
Tutje në reagim, Ambasada përdori një proverbë gjermane, duke thënë se së pari duhet të vendosen rregullat në shtëpinë e vet.
“Në gjermanisht themi, “Erstmal vor der eigenen Haustür kehren” – fshesa e parë para derës suaj. I zhvendosur në situatën aktuale, kjo proverb na kujton se duhet të rregullosh shtëpinë tuaj, përpara se ta qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj. Mosveprimi në ndjekjen penale të shkelësve të dhunshëm është po aq për keqardhje dhe kundërproduktiv sa çdo masë e pakoordinuar nga Prishtina”, thuhet në reagim.