Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht padinë e Fatmir Limajt, duke e detyruar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që për shkak të privimit pa të drejtë nga liria (paraburgimi dhe arresti shtëpiak) në procesin penal për krime lufte, t’ia paguajë për dëmin jomaterial 48 mijë e 800 euro, për dëmin material 6 mijë e 216 euro dhe 150 euro të tjera në emër të shpenzimeve për pako ushqimore gjatë qëndrimit në paraburgim.
Po ashtu, KGJK-ja obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës t’ia paguajë Limajt 2 mijë e 48 euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, përmes avokatit Tahir Rrecaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh deputeti Fatmir Limaj kishte parashtruar padi më 13 korrik 2017 me objekt kontesti kompensim i dëmit material dhe jomaterial.
Sipas vendimit, në padi paditësi Limaj ka deklaruar se për shkak të zbatimit të procedurës së padrejtë penale ndaj tij, në mënyrë të kundërligjshme ka qëndruar në paraburgim 85 ditë (nga 24 nëntori 2012 deri më 8 mars 2013) dhe në arrest shtëpiak 384 ditë.
Andaj, më 26 janar 2016, paditësi Limaj thuhet se i është drejtuar të paditurës KGJK, përkatësisht komisionit për kompensimin e dëmit personave të dënuar pa arsye dhe personave të hequr pa bazë nga liria, me kërkesë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial, por që nuk ishte arritur marrëveshja.
Sipas vendimit, Limaj ka theksuar se për shkak të qëndrimit pa bazë ligjore në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ka pësuar dëm material në formë të pagimit të shpenzimeve për avokat për mbrojtje penale. Aty thuhet se angazhimi deri në tre avokatë mbrojtës është e drejtë e secilit person të pandehur.