Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka shprehur shqetësimin e thellë për mosreagimin e Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të vazhdueshme për krijimin e një Fondi Emergjent për komunat, i cili do të mundësonte ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive në rastet e fatkeqësive natyrore.
Përkundër dëmeve të përsëritura nga vërshimet, zjarret dhe problemet infrastrukturore, Qeveria nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e këtij mekanizmi financiar, duke i lënë komunat të pambrojtura dhe të varura nga procedura të gjata burokratike.
Kështu është shprehur kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
Ai theksoi se ky neglizhim po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe po paralizon reagimin e komunave në situata kritike.
“Moskrijimi i Fondit Emergjent dëmton direkt qytetarët, të cilët mbesin pa ndihmë të menjëhershme në momente kritike; paralizon reagimin komunal, pasi mungesa e mjeteve e bën të pamundur ndërhyrjen e shpejtë; rrit varësinë nga procedurat e gjata burokratike, duke zvarritur mbështetjen për komunat që përballen me kriza reale; konfirmon mungesën e vullnetit politik për të fuqizuar pushtetin lokal, përkundër diskurseve publike për decentralizim dhe partneritet institucional”, tha Ibrahimi.
AKK i bën thirrje Qeverisë që të mos e neglizhojë më këtë çështje, pasi çdo vonesë shtesë përkthehet në dëme të mëdha dhe të pakthyeshme për komunitetet lokale në gjithë Kosovën.