Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron zbuluan programpilotin e shumë të pritur “një brenda, një jashtë” për të luftuar migracionin e paligjshëm.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp të enjten, udhëheqësi britanik tha se përpjekja “novatore” parashikon që Mbretëria e Bashkuar të kthente në Francë emigrantët që kanë kaluar ilegalisht Kanalin Anglez.
Në këmbim të çdo emigranti të kthyer, Franca do të transferojë një azilkërkues në Mbretërinë e Bashkuar, i cili pritet të ketë një lidhje familjare ose një arsye të vërtetë për të kërkuar strehim në Britani, shkruan Politico
Forcat kufitare franceze do të jenë gjithashtu në gjendje të marrin masa proaktive për të ndaluar anijet në ujëra të cekëta, në varësi të një shqyrtimi nga autoritetet detare franceze.
“Thjesht nuk mund ta zgjidhim një sfidë të tillë duke vepruar vetëm dhe duke u thënë aleatëve tanë se nuk do të luajmë lojën”, tha Starmer.
Kryeministri tha se plani do të “thyente modelin” e kontrabandës së njerëzve pavarësisht shkallës relativisht modeste të programit, ndërsa Macron tha se besonte se kjo do të dekurajonte kontrabandistët dhe migrantët e mundshëm që kërkonin të bënin udhëtimin e rrezikshëm.
Nuk dihet se sa do të kthehen sipas programit, por raportet fillestare kanë sugjeruar se rreth 50 emigrantë mund të dërgohen në të dyja drejtimet në javë – vetëm një pjesë e vogël e 21,000 që kanë mbërritur nëpërmjet Kanalit deri më tani këtë vit.