Berisha: Zgjidhja e vetme është dorëheqja e Ramës

Berisha: Zgjidhja e vetme është dorëheqja e Ramës

Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të solidarizohen me studentët dhe t’u bashkohen protestave, të cilat të enjten kanë hyrë në ditën e tretë.

Në një konferencë për media, Berisha i kërkoi sërish kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke e cilësuar këtë si kërkesën përfundimtare të protestës studentore, opozitës dhe qytetarëve shqiptarë.

Ai u bëri thirrje veçanërisht mjekëve dhe infermierëve që të mbështesin studentët, duke theksuar se indiferenca nuk duhet të jetë një alternativë përballë situatës në vend.

“U bëj thirrje mjekëve, infermierëve që të solidarizohen me studentët. Ju jeni dëshmitarë se ku e katandisi narkoregjimi sistemin shëndetësor. Ndërgjegjja juaj profesionale nuk mund t’u lejojë ju të jeni kurrë as indiferentë, as edhe kundër studentëve.

Ndaj dhe, në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Indiferenca është zgjedhja më e keqe. Ndaj bashkohuni me protestuesit. PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore. Dhe njëherë, i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen. Është tërësisht i pashpresë.

Por në qoftë se i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye njerëzore, të gjejë kurajë dhe të japë dorëheqjen. Të mos pësojë atë fat që diktatorët që nuk kanë dhënë dorëheqjen kanë pësuar nga verdikti, nga drejtësia e bërë nga qytetarët.

Jep dorëheqjen është kërkesa ultimative e protestës studentore, e opozitës shqiptare, e mbarë shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Related Articles