Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj ku diskutuan mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në takim, Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Ajo vuri në dukje se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, duke e cilësuar këtë si një mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave themelore të njeriut.
Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Qelaj informoi presidenten për çështjet më të shpeshta që trajtohen në këtë institucion.
Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.