Kosova përfshihet në fondet e BE-së në kuadër të buxhetit 2028-2034

Kosova përfshihet në fondet e BE-së në kuadër të buxhetit 2028-2034

Komisioni Evropian ka propozuar një buxhet prej 2 trilionë euro për periudhën 2028–2034, në kuadër të Kornizës Financiare Shumëvjeçare, dokumenti më i rëndësishëm që përcakton shpenzimet e BE-së për 7 vitet e ardhshme.

Kjo shumë përfaqëson gati dyfishin e buxhetit të mëparshëm, dhe për herë të parë, zgjerimi i Bashkimit Evropian zë një vend kyç në këtë kornizë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi rëndësinë e zgjerimit.

“Zgjerimi është prioritet kyç. Nuk është vetëm qëllim politik, por investim strategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Prandaj, po e hapim plotësisht instrumentin ‘Global Evropë’ për vendet kandidate – jo vetëm për asistencë teknike, por edhe për reforma dhe projekte konkrete”, tha Von der Leyen.

Sipas propozimit, vendet që ndodhen në procesin e anëtarësimit do të përfitojnë më shumë fonde për reforma, zhvillim dhe infrastrukturë.

Në rast se ndonjë prej tyre bëhet shtet anëtar gjatë periudhës 2028–2034, Korniza do të rishikohet dhe përshtatet sipas nevojës.

Kosova, ndonëse ende pa status zyrtar kandidati, është përfshirë në planin financiar të BE-së. Brukseli ka konfirmuar se edhe Prishtina do të përfitojë nga fondet përmes instrumenteve për vendet në proces zgjerimi.

Related Articles