Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të hënën për të 50-tën herë në përpjekjen e radhës për ta konstituuar legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton gazeta “Enigma”.
Seanca do të nisë në ora 11:00, ndërsa bllokada politike vazhdon të jetë në pikën kritike të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Tentimi i fundit, i mbajtur të shtunën, ka dështuar si 49 herët e kaluara. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje partive që të propozojnë anëtarët e Komisionit për votim të fshehtë për kryeparlamentarin, por kjo kërkesë u injorua.
Në votim morën pjesë vetëm 50 nga 90 deputetët e pranishëm. Nuk pati vota kundër apo abstenime, por pjesa tjetër refuzoi të përfshihej në proces.
Katër muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi vazhdon të jetë i paralizuar, pa mundësinë për të funksionuar normalisht, për shkak të mungesës së marrëveshjes politike për postin e kryetarit.