Kreu i ekzekutivit në detyrë, Albin Kurti përmes një konference të hënën ka reaguar ashpër për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se do të përgjigjen ashpër pas arrestimit të Igor Popoviq, i cili u ndalua pasi e quajti UÇK-në “organizatë terroriste”, raporton Gazeta Enigma.
Ai i quajti “tone nxitëse”, deklrarimet e presidentit serb.
“Republika e Kosovës është demokratike dhe ligjore me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara e zbatim të barabartë të ligjit. Sundimi i ligjit nuk diskriminon sipas etnisë, pozitës, ndikimit politik apo përkatësie tjetër. Rasti i Igor Popoviq i arrestuar për kryerjen e veprave penale për nxitjen e përçarjes apo mosdurimit etnik, nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet kombëtare të të drejtave të njeriut. Deklaratat e Vuçiqit të bëra me 20 korrik sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme”, tha ai.
Tutje ai shtoi se “Kur një president e komandant suprem i ushtrisë lëshon kërcënime me tone nxitëse, nuk është qëndrim individiual por politikë shtetërore. Beogradi zyrtar tregon se nuk e mbështetë drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve që është UÇK-ja, përmes deklarimeve të tilla, ata kanë nxitjen e provokimin e tensioneve. Deklaratat e tilla përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, tha Kurti.
Sipas tij në këtë mënyrë “Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon sikur që deklarimet e Popoviqit, po ashtu nxisin përçarje dhe mosdurim”. / Gazeta Enigma.