Afati i Kushtetueses, Kurti: Askush s’e di çfarë ndodh në ditën e 31-të

Afati i Kushtetueses, Kurti: Askush s’e di çfarë ndodh në ditën e 31-të

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas skadimit të afatit 30-ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke deklaruar se nuk ka qartësi se çfarë ndodh më pas.

Në një deklaratë për media, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka sqaruar se çfarë pasoja sjell dita e 31-të, dhe sipas tij, zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike nuk mund të vijë nga gjykatat, por përmes tryezave politike.

“Kushtetuesja nuk ka thënë se çfarë ndodh pas këtyre 30 ditëve. Ajo ka thënë diçka që është e arsyes së shëndoshë – për mosmarrëveshjet politike të grupeve parlamentare nuk është adresë gjykata, por tryeza e partive”, tha Kurti, duke shtuar se:
“Ne nuk u morëm vesh dhe tash nuk e di se çfarë po ndodh pas 30 ditëve dhe nuk kemi marrë asnjë indikacion që ndokush prej atyre që tha ‘i keni 30 ditë’, e di se çfarë do të ndodhë në ditën e 31-të”.

Kryeministri në detyrë theksoi se ndërkohë qeveria do të vazhdojë të funksionojë me kompetenca të kufizuara, por me angazhim të plotë përballë detyrave të shumta që i ka vendi.

“Po punojmë vazhdimisht me të gjithë ministrat në detyrë, por paralelisht me këtë po i japim shansin këtyre bisedimeve me Nismën Socialdemokrate për të arritur numrin 61”, theksoi Kurti.

Situata mbetet e paqartë, ndërsa vendi përballet me një krizë institucionale për shkak të pamundësisë për të formuar shumicën parlamentare pas zgjedhjeve.

Related Articles