Sot në Istog ka vdekur një punëtor, i cili para disa ditësh u aksidentua në vendin e punës.
Avdyl Osmanaj, nga fshati Gurrakoc, nuk mundi t’ju bëjë ballë lëndimeve të rënda.
Lidhur me rastin e rëndë detaje ka dhënë Fadil Gashi, zëdhënës rajonal i policisë në Pejë.
“Sot jemi njoftuar nga QKUK-ja se kishte vdekur një person i cili ishte aksidentuar ditë më parë në vendin e tij të punës. Më 24 qershor ka ndodhur rasti, rreth orës 17:25, në fshatin Zallq të Istogut. Viktima kishte rënë nga skelet prej katit të tretë të një objekti ku ishte duke punuar”, tha Gashi.
“Ai u dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal, por për shkak të lëndimeve u transferuar për trajtim në QKUK”, theksoi ai.
“Lidhur me rastin kanë filluar hetimet. Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe inspektori i punës. Prokurori ka kërkuar të njoftohet me shkrim lidhur me rastin me të gjitha detajet. Ai po ashtu është në pritje të raportit nga inspektori i punës që më pas të ndermerren edhe hapa të tjerë të nevojshëm”, deklaroi zëdhënësi i policisë.
Po ashtu, sot në Gjakovë ndodhi një ngjarje tragjike, ku dy persona humbën jetën në vendin e tyre të punës.
Ata kishin rënë nga kati i tretë i një objekti i cili ishte në ndërtim. Lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona.