Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës, për hetimin e çdo lëshimi apo përfshirje të ndonjë zyrtari policor në veprimtarinë e Mefail Shkodrës, të dyshuarit kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se brenda kompetencave të tij, ka lëshuar urdhër për IPK-në.
“Brenda kompetencave të mia kam urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan”, ka shkruar ai.
“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë”.
“Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”.
“Pres që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe hallkat tjera të sistemit, veçanërisht drejtësinë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”, thuhet në postimine tij. /Gazeta Enigma/