Lista Serbe ia mësyn veriut me ish-kryetarët e dorëhequr

Lista Serbe ia mësyn veriut me ish-kryetarët e dorëhequr

Lista Serbe po synon rikthimin në pushtet në komunat në veri të Kosovës.

Kjo parti do të garojë në të katër komunat në veri dhe në gjashtë komuna të tjera.

Garës për kryetarë komunash do t’i prijnë ish-kryetarët e komunave e që ishin dorëhequr në vitin 2022, pasi serbët braktisën institucionet. Në prezantim të kandidaturave, kjo parti ka thënë se e ka marrë “aminin” nga Serbia për të garuar.

Sipas të dhënave të ofruara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Lista Serbe synon të garojë në katër komunat në veri e në Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Kllokot. Përveç tyre, në garë vetëm për asamble janë edhe në Gjilan, Istog, Klinë, Pejë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Lipjan, Vushtrri, e Obiliq.

Kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut është Milan Radojeviq, që e udhëhoqi deri në nëntor të 2022-s. Ai madje ka qenë i punësuar edhe si drejtor i “Drejtorisë së Fondit Pensional Invalidor të Serbisë për Kosovën” – pra institucion paralel.

Në Leposaviq synon të garojë Zoran Todiq që po ashtu ishte kryetar i kësaj komune, por edhe i institucioneve paralele në këtë komunë.

Kandidat për kryetar të Zveçanit synon të jetë ish-kryetari Dragisha Miloviq, që ka punuar edhe në institucion paralel shëndetësor.

Në Zubin-Potok synon të garojë Milosh Peroviq.

Të premten, në një konferencë për media ku u prezantuan kandidatët për kryetar, përfaqësues të Listës Serbe thanë se për garën zgjedhore kanë mbështetjen e Serbisë.

“Me mbështetjen e shtetit tonë të Serbisë, po luftojmë përsëri për të arritur në një situatë ku mund të vendosim për fatin tonë, por tani jemi absolutisht të vetëdijshëm se qasja hipokrite e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe organizatave ndërkombëtare ka çuar në faktin se serbët po jetojnë ditët më të vështira që nga viti 1999”, ka thënë Igor Simiq, anëtar i kryesisë së kësaj partie.

Kjo parti politike, në veri por edhe në komunat e tjera do të sfidohet nga rreth 10 subjekte të tjera politike. Lista Serbe por edhe rreth 100 subjekte të tjera janë në pritje të verifikimit nga institucionet përkatëse e të certifikimit nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje.

Serbët dhanë dorëheqje nga postet e tyre në institucionet e Kosovës, përfshirë edhe komunat, në nëntor të vitit 2022. Me direktiva të Serbisë, ata bojkotuan edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 2023 e me pas edhe mundësinë e ofruar për të shkarkuar kryetarët shqiptarë në katër komunat në veri.

Related Articles