Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, të hënën i ka bërë thirrje prindërve dhe familjeve që të angazhohen më shumë në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë, raporton Gazeta Enigma.
Ky reagim i KOMF vjen pas pamjeve të publikuara të disa të miturave në Gjilan, të cilat abuzuan me një të mitur tjetër.
“Ky është një alarm serioz që kërkon reagim të menjëhershëm, jo vetëm nga institucionet apo shkollat, por mbi të gjitha nga vetë familjet. Pikërisht në mjedisin familjar fëmijët formojnë sjelljet dhe vlerat e tyre themelore,” thuhet në reagimin e KOMF.
KOMF thekson se prindërit duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të parandaluar dhunën, duke komunikuar hapur me fëmijët e tyre dhe duke u shërbyer si modele sjelljeje.
“Ndani kohë për biseda të ndershme me fëmijët rreth dhunës dhe ndikimit të saj. Promovoni sjellje të qeta dhe respektuese në marrëdhënie me të tjerët. Kontrolloni përmbajtjen që fëmijët ndjekin në rrjete sociale dhe orientoni përdorimin e tyre drejt vlerave pozitive,” thuhet tutje në apelin e organizatës.
Përveç rolit të familjes, KOMF thekson rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shkollat dhe kërkimin e ndihmës profesionale kur fëmijët përballen me sfida emocionale.
“Prindërit duhet të jenë të angazhuar në jetën shkollore të fëmijëve dhe të kërkojnë ndihmë nga profesionistët kur shfaqen shqetësime si stresi, ankthi apo sjelljet agresive,” thekson KOMF.
“Përmes komunikimit të hapur dhe edukimit për modele tolerante dhe konstruktive, ne mund të ndërtojmë një shoqëri ku fëmijët ndihen të sigurt, të respektuar dhe të mbrojtur,” përfundon deklarata. / Gazeta Enigma.