Rreth 2 mijë biznese mbesin pa drita – Paditet ZRRE-ja për tregun e lirë të energjisë

Rreth 2 mijë biznese mbesin pa drita – Paditet ZRRE-ja për tregun e lirë të energjisë

Bizneseve të shumta në Kosovë po iu shkyqen dritat. Kjo pasi të shtunën e 16 korrikut KEDS përmes një komunikate për media ka njoftuar se nga ajo ditë ka filluar zbatimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shkyçjen e konsumatorëve komercialë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kjo shkyçje u bë për konsumatorët komercialë që deri atë ditë nuk kishin lidhur ndonjë marrëveshje me ndonjë furnizuar tëlicencuar nga ZRRE-ja.

“Siç kemi informuar para pak ditësh se në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre shkyçja u bë për më shumë 1 mijë e 400 biznese.

“Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike”, njofton KEDS-i.

Pas këtij vendimi pati reagime të shumta nga odat në Kosovë

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” thotë se vendimi i ZRRE-së i ka dëmtuar rëndë bizneset dhe ekonominë e vendit.

Tutje ai ka theksuar se kërkesa e DhTIK ka qenë që ky projekt tëpezullohet së paku për një vit.

“Kërkesa jonë e vetme ka qenë që projekti me u pezullua deri në 1 vit të paktën në mënyrë që tregu me u përgatit, pastaj bizneset me u përgatit, kompanitë të cilat ofrojnë dhe janë licencuar për liberalizim të shërbimit të furnizimit me energji elektrike me u përgatit siç duhet në mënyrë që procesi i liberalizimit të jetë i suksesshëm”, tha Ahmeti për “Enigmën”.

Tutje Ahmeti ka kritikuar veprimet e atyre që dolën në teren për shkyçjen e konsumatorëve, ishin vepra të ekzagjeruar.

“Fatkeqësisht këtë gatishmëri nuk e kemi gjetur te ZRRE, e fatkeqësisht në heshtje ZRRE ka marrë mbështetje edhe nga institucionet në vend, ku ato ishin si baraspeshë mes neve dhe ZRRE, por fatkeqësisht më shumë e mbështetën ZRRE në këtë rast dhe normalisht tash kjo situatë që është ka krijuar probleme shumë të mëdha që e keni parë edhe në vikend kanë bërë shkyçje të jashtëzakonshme duke shkuar edhe në mënyrë të dhunshme, me polici, thuajse se janë duke shkuar te një kompani ose klient që është borxhli, e në fakt bizneset nuk janë borxhli, ata kanë qenë taksapagues të rregullt”, deklaroi Ahmeti.

Oda Ekonomike dorëzon padinë ndaj ZRRE-së në Supreme

Oda Ekonomike e Kosovës sot ka dorëzuar padi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në Gjykatën Supreme.

Lulzim Rafuna, kryetar i OEK-ut, ka thënë se do ta përdorin çdo hapësirë ligjore për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së.

“Nuk ka qenë e drejtë që energjia elektrike të ndërpritet ditën e shtunë kur është vikend e që biznesi të jetë deri sot pa energji elektrike dhe të mos ketë mundësi të bëjë asgjë. Gjatë vikendit na kanë informuar që me polici ju kanë shkuar, ju kanë krijuar një imazh shumë të keq sikur të jenë biznese kriminale, se jo biznese shumë të ndershme, që kanë paguar tatim dhe çka ka pasur të bëhet një shkëputje e energjisë elektrike”, ka thënë Rafuna në një deklaratë

Kujtojmë se vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, sipas të cilit të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur.

Për të mos mbetur pa energji gjatë një periudhe tranzitore, mbi dy muaj bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Por, nga 16 gushti ka nisur shkyçja e tyre.

Ky njoftim u bë pas vendimit të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, që vendosi në favor të ZRRE-së, duke mos shtyrë ekzekutimin e daljes në treg të hapur të rreth 1300 bizneseve.

Gazeta Enigma i ka dërguar pyetje Zyrës së Rregullatorit për Energji lidhur me shkyçjen e konsumatorëve komercialë, por të njëjtit deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta “Enigma”.

Related Articles