Ambasada e Italisë: Propozimi i Gërvallës tregon gatishmëri për të bërë përparim

Ambasada e Italisë: Propozimi i Gërvallës tregon gatishmëri për të bërë përparim

Ambasada e Italisë në Prishtinë, e pa si diçka inkurajuese faktin që Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, propozoi një kandidat të ri për kryeparlamentar, pasi në të kaluarën kishte propozuar vetëm Haxhiun.

Në një përgjigje me shkrim për REL-in, Ambasada italiane tha se propozimi i Gërvallës “tregon gatishmëri për të bërë përparim, i cili do të duhet të konfirmohet në ditët në vijim”.

“Shpresojmë që të gjithë aktorët politikë të punojnë me përgjegjësi për të siguruar konstituimin e Kuvendit me kohë, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të japë votë për pa u arritur një marrëveshje politike.

Vazhdimi i seancës u caktua për të premten, më 22 gusht.

Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Related Articles