Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar ka reaguar nga deputetët që të veprojnë me përgjegjësi dhe të konstituojnë Kuvendin pa vonesa të mëtejshme, raporton Gazeta Enigma.
“Konstituimi i Kuvendit është parakusht themelor për funksionimin e institucioneve kushtetuese. Pa një Kuvend funksional, vendi po qeveriset nga një Qeveri në detyrë, e cila nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes parlamentare”, theksohet në reagim.
LEXO EDHE: Edhe një tentativë për konstituim të Kuvendit
IKD paralajmëron se mungesa e Kuvendit ka lënë shumë institucione të paralizuara, me borde jofunksionale dhe mandate të skaduara, përfshirë Avokatin e Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, KPM-në, Gjykatën Kushtetuese dhe Fondin e Kursimeve Pensionale.
Gjithashtu, janë bllokuar edhe marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë Planin e Rritjes 2024-2027 në vlerë prej 882 milionë euro, dhe projektet me partnerë strategjikë si Banka Botërore, Gjermania dhe Franca.
“Përkundër faktit që përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit është e të gjitha partive, barra kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhje”, thotë IKD, duke i bërë thirrje kësaj force politike që të propozojë një kandidat të pranueshëm ose të arrijë një marrëveshje politike për të dalë nga bllokada.
IKD gjithashtu i kërkon Kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të mos ndërpresë seancën pa u arritur konstituimi dhe të veprojë në përputhje me Kushtetutën.
“Vetëm përmes një procesi të përgjegjshëm dhe dinamik mund të sigurohet respektimi i rendit kushtetues. Çdo vonesë e qëllimshme është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksojnë nga IKD.