Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin polak “TVP World” u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i themelojnë institucionet.
Osmani ka thënë se partitë politike duhet t’i lënë dallimet anash dhe ta vendosin interesin e vendit para.
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se shkaku i kësaj bllokade politike, po humben projekte të Bashkimit Evropian, po humben dritare të mundësive me administratën e re të SHBA-së, për të cilat është punuar.
“Shumica e marrëveshjeve duhet të shkojnë në Kuvend për t’u ratifikuar e në Qeveri për zbatim. Njerëzit e Kosovës duhet të kenë një qeveri efikase me fuqi të plotë”, tha Osmani.
Ajo ka shtuar se Kosova nuk e ka luksin të qëndrojë aq gjatë pa institucione.
“Do të ketë shumë që thonë Belgjika ka dy vjet pa qeveria, Austria ka 6 muaj. E kuptoj, por ne nuk e kemi luksin me prit aq gjatë. Ne duhet vërtetë të ecim para me reforma, me anëtarësim në organizata”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtura se nuk beson se ka ndikim nga jashtë në partitë e mëdha politike në Kosovë, në mënyrën se si reagojnë.
“Është besim i tyre personal, se me kë duan të punojnë. Është shumë lokale”, tha Osmani.
Të dielën dështoi tentimi i radhës për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin dhe Dimal Bashën, por kandidatët nuk i morën votat e nevojshme. Seanca e radhës do të mbahet të martën në ora 11:00.
Në intervistën për televizionin shtetëror të Polonisë, Osmani, ka shprehur kritika edhe për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo ka thënë se ndonëse Kosova është e rreshtuar qind për qind me politikat e BE-së dhe se 97 e qytetarëve në Kosovë janë pro anëtarësimit në BE dhe NATO, prapë kjo duket se pak po u bie në sy shteteve anëtare.
“Nëse e shihni si ka përparuar rajoni, Serbia që është fqinja jonë, ndonëse është përfundi 40 për qind e rreshtuar, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë dhe as ndonjë kundërshtari tjetër të BE-së, ende po vazhdon drejt anëtarësimit. Duket sikur kriteret e vlerat nuk kanë vërtetë rëndësi për disa shtete anëtare. Nuk do të thotë se durimi ynë po soset, ne po punojmë, është proces i gjatë e njerëzit janë të frustruar, por ne nuk kemi alternativë tjetër”, ka thënë Osmani.