“Përjashtimi” i Listës Serbe nga institucionet – Nyja e re në Kuvend

“Përjashtimi” i Listës Serbe nga institucionet – Nyja e re në Kuvend

Çështja e pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, si dhe tentimi për të bllokuar dhënien e pozitës së nënkryetarit të Kuvendit për komunitetin jo-shumicë serb, ka hapur një debat të madh politik dhe juridik në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Më 21 gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) refuzoi certifikimin e Listës Serbe, pas mos arritjes së votave të nevojshme për certifikim, brenda këtij organi.

Gjatë mbledhjes, dy anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi kërkuan që të votohet kundër certifikimit të Listës Serbe, duke e akuzuar këtë parti për trashëgimi terroriste.

Për certifikimin e Listës Serbe pro votoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja e Listës Serbe në KQZ, Gordana Llaban, teksa kundër votuan dy anëtarët e VV-së, e abstenuan anëtarët e partive të tjera.

Pas këtij vendimi, Lista Serbe u ankua në PZAP, ku kjo e fundit, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Sipas arsyetimit të PZAP-së, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

Bllokada e re te Kuvendi – nënkryetari serb

Përpjekja e 58-të për konstitutim të Kuvendit rezultoi pjesërisht e suksesshme.

Dimal Basha u zgjodh kryetar me votat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të dy partive tjera të mëdha shqiptare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sikurse këto dy parti PDK dhe AAK, ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kritikuan përzgjedhjen e Bashkës për këtë pozitë, duke mos e konsideruar të denjë.

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë në një votim në pako.

Në pozitën e nënkryetares nga pakicat joserbe u zgjodh Emilja Rexhepi, për ta ndarë pozitën më vonë me rotacion me Fidan Jilltan dhe Artan Asllanin.

Megjithatë, procesi është bllokuar te votimi për nënkryetarin serb. Sllavko Simiq është propozuar tri herë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – mirëpo nuk i ka marrë votat e nevojshme, 61 sosh.

Kryetari Basha ka konsideruar se emri i tij është shfrytëzuar, në përputhje me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të disa ditëve më parë se një person nuk mund të kandidohet më shumë se tre herë. Lista Serbe ka insistuar se vendimi vlen për pozitën e kryetarit dhe jo për nënkryetarët.

Basha, më pas, e ka nisur një proces të propozimit me short të kandidatëve për nënkryetarin serb, por asnjëri nuk i ka marrë 61 votat e domosdoshme. Votat nuk i ka siguruar as Nenad Rashiq, kryetar i partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kritikuar partitë e mëdha shqiptare pse kanë votuar kundër, duke thënë se është humbur “mundësia e artë” për të mos përfshirë Listën Serbe në kabinetin e parlamentit.

Deputët e VV-së kundër vendimit të PZAP-së

Deputeti Hekuran Murati i LVV-së e ka quajtur vendimin e PZAP-së veprim skandaloz, e madje ka kritikuar edhe abstenimin e partive opozitare në KQZ.

“Fatkeqësisht, e shohim si një veprim skandaloz. Një tjetër që ka kontribuar këtu është abstenimi i vakët i partive opozitare në KQZ – do duhej të kishin vepruar kundër, sepse do duhej të ishin kundër një subjekti të tillë. Por e pamë që në KQZ për Listën Serbe abstenojnë, kurse këtu në Kuvend për përfaqësuesit e LVV, kur propozohen për kryetar, votojnë kundër. Pra, ky është dallimi”, tha Murati.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se si parti do të shqyrtojnë  mundësinë e dërgimit edhe në Gjykatën Supreme.

“Është vendim skandaloz, nuk arrita ta lexoj në plotni por siç e pashë PZAP ka urdhëruar KQZ që të bëjë certifikimin e Listën Serbe. Për mua është një vendim tejet i dëmshëm. Ngutia e PZAP pavarësisht që ka pasur kohë 72 orë, lë të nënkuptojë se ka pasur presione mbi këtë institucion. Duhet të shihet mundësia që ky vendim të dërgohet në Gjykatën Supreme”, ka thënë Haxhiu.

VV e dërgon në Supreme vendimin e PZAP-së

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili obligoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të KQZ-së kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe. Bazuar në nenin 63 par 1, 3, 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, anëtarët e KQZ-së kanë të drejtën ekskluzive ligjore të votojnë për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Tutje, në rastin konkret, neni 17 i LZP-së përcakton shqyrtimin e aplikimeve për certifikim. Konkretisht paragrafi 4 i këtij neni jep të drejtë anëtarëve të KQZ-së që të miratojnë apo të refuzojnë certifikimin e një subjekti politik. Anëtarët e KQZ-së kanë zbatuar nenet përkatëse të cilat i japin diskrecion të plotë lidhur me votimin për apo kundër një certifikimi të një subjekti politik”, thuhet ndër të tjera në ankesën e VV-së.

“Gjykata Supreme duhet të kërkoj më shumë prova për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhje lokale”

Profesori universitar dhe ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, tha për Gazetën “Enigma” se Supremja do duhet të kërkoj më shumë prova në mënyrë që të vendoset se a duhet lejuar pjesëmarrjen në zgjedhje të Listes Serbe.

“Mbase sepse përafërsisht subjekti më i madh politik, madje edhe koalicioni fitues i zgjedhjeve të fundit në nivel qendror, edhe herën e parë edhe tani ka insistuar dhe votuar që të mos certifikohet ky subjekt politik. Madje ka edhe të dhëna parciale që elementë të këtij subjekti politik kanë qenë vazhdimisht në pozita destruktive ndaj Kosovës. Gjykata Supreme do duhet të kërkoj edhe më shumë prova për të kompletuar mozaikun e gjendjes reale të vendimit të KQZ-së dhe PZAP-së, në mënyrë që të lejoj apo jo për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale”, tha ai.

Baraliu nuk sheh bllokadë të rë si pasojë të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

“Jo, nuk ka bllokadë të rë si pasojë e moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb. Është e qartë që kandidatët e Listës Serbe nuk ka vullnet që të votohen dhe nuk janë votuar nga shumica e partive shqiptare, dhe kjo është e drejtë e deputetëve”, shtoi ai.

Sipas tij, partitë shqiptare në Kuvend, do duhet ta votonin Nenad Rashiqin në seancën e ardhshme, pasi shihet si një figurë më e integruar dhe e pakompromentuar në Kuvend, nga radhët e komuniteti jo-shumicë serb.

“Zoti Rashiq vetëm për 6 vota nuk ka arritur të votohet për nënkryetar. Do duhet të ketë një vetëdije politike në nivel dhe në seancën e ardhshme, do duhet këto parti që për interes publik dhe interesin e Republikes, si dhe për rrumbullaksimin e kabinetit parlamentar, ta votojnë Rashiqin, për arsyje se ai është një figurë e rëndësishme, e pakompromentuar, e cila është integruar në institucione, ka dhënë kontribut si ai edhe partia e tij, dhe pse jo të mos votohet për nënkryetar të Kuvendit. Sic e patën përgjegjësinë dhe korrektsinë kur e votuan dje kryetarin e Kuvendit, i cili nuk mund u votua 57 herë, njëjtë duhet ta kishin edhe tash mirëkuptimin edhe solidaritetin partitë për ta votuar, në mënyrë që të konstituohet Kuvendi”, shtoi ai.

Baraliu gjithashtu vlersoi se mos-lejimi i propozimit të Slavko Simiqit më shumë se tre hërë për nënkryetar, u bë në përputhje me frymën kushtetuese të aktgjykimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese.

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, shpjegon se Kushtetuta nuk rregullon procedurën e nominimit dhe zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, çka është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit.

“Meqenëse kushtetuta nuk merret fare me pjesën procedurale se si duhet të nominohen dhe të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit, kjo çështje është rregulluar me Rregullore të Kuvendit. Është shumë e rëndësishme të theksohet që Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës është shkruar në hijen e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ku në mënyrë eksplicite thuhet që Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur edhe të gjithë nënkryetarët”, shkruan ai.

Ai thekson rëndësinë e pikës 7 të nenit 12 të Rregullores, e cila parandalon bllokimin e procesit të konstituimit nga grupet minoritare duke lejuar Kryetarin e Kuvendit të propozojë kandidatë përmes shortit. Kryeziu shprehet se votimi i kandidatit Nenad Rashiq sipas këtij mekanizmi është i ligjshëm dhe i drejtë, ndërsa kritikon PDK-në dhe LDK-në për mosrespektim të kësaj procedure.

“Më tej, pika 7 e nenit 12 e Rregullores është hartuar me qëllimin që ta pengojë veton bllokuese të Listës Serbe në procesin e konstituimit. Nominimi, në bazë të shortit, i kandidatit Nenad Rashiq është i ligjshëm.”

“PDK dhe LDK injoruan këtë qëllim patriotik të hartuesve të rregullores dhe kjo për mua është tërësisht misterioze dhe e pakuptimtë”, përfundon ai.

/Gazeta Enigma/

Related Articles